Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzën për korrupsion

(Lajm i përditësuar)
Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzën për korrupsion
Ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Deklarimin rreth fajësisë, Krasniqi e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori special, Dren Paca.
“Plotësisht i pafajshëm”, tha Krasniqi.
Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti tha se i akuzuari dhe mbrojtësi i tij në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.
Paraprakisht, prokurori Paca tha se kanë dorëzuar edhe disa prova të cilat nuk kanë qenë në aktakuzë dhe të njëjtat ia kanë dorëzuar mbrojtjes.
Kurse, mbrojtësi i Krasniqit, avokati Vyrtyt Ibrahimaga tha se Prokuroria nuk ua ka dorëzuar aktvendimin për fillimin e hetimeve, e që është e obliguar t’ua dorëzojë të gjitha shkresat e lëndës.
“Prokuroria nuk i ka dorëzuar akoma kontratat për shitblerjen e energjisë elektrike në gjuhën shqipe, këto prova janë bazë në të cilën mbështetet aktakuza… këto prova akoma nuk janë përkthyer në gjuhën shqipe për të pandehurin dhe për gjykatën”, tha Ibrahimaga.
Andaj, i propozoi Gjykatës që të obligojë Prokurorinë që në afat prej 10 ditësh t’ua dorëzojë aktvendimin për fillimin e hetimeve dhe kontratat për shitblerjen e energjisë elektrike në gjuhën shqipe, në mënyrë që mbrojtja e të pandehurit të ketë mundësi të deklarohet.
Gjykatësi Arben Hoti pas deklarimit të të pandehurit, obligoi Prokurorinë që në afat prej 15 ditësh të ofrojë provat e kërkuara nga mbrojtja.
Kurse, prokurori Paca tha se do ta respektojnë këtë afat, megjithëse i pandehuri kontratat në fjalë i ka nënshkruar në gjuhën angleze dhe i ka kuptuar.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e ngritur më 19 gusht 2024, akuzon Nagip Krasniqin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”./ BetimipërDrejtësi
Nis seanca gjyqësore ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut
Ka nisur seanca për shqyrtimin fillestar ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i cili po akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Krasniqi tashmë ka arritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Seanca e kaluar për këtë rast ka dështuar pasi mbrojtja nuk ishte pajisur me shkresat e lëndës nga Prokuroria e Shtetit.
Sot mbahet seanca ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut Nagip Krasniqi
Sot do të mbahet seanca gjyqësore ndaj Nagip Krasniqit, i akuzuar për keqpërdorim detyre në dëm të KEK-ut në vlerë rreth 3 milionë e 230 mijë euro.
Seanca nis në orën 09:30 në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 19 gusht të këtij viti ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Ai akuzohet se kishte filluar ta keqpërdorë detyrën zyrtare që nga 15.10.2021 deri më 19.04.2023.
Në padi thuhet se Krasniqi i kishte mundësuar tregtimin e energjisë një kompanie sllovene në Kosovë, e cila nuk kishte licencë, duke dëmtuar kështu KEK-un në vlerë rreth 3 milionë e 230 mijë euro, gjë që i mundësoi kompanisë nga Sllovenia tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?