Përfundon debati rreth audio-incizimit të Kusari-Lilës me Radoiçiqin

(Lajm i përditësuar)
Përfundon debati rreth audio-incizimit të Kusari-Lilës me Radoiçiqin
Ka përfunduar debati rreth audio-incizimit të shefes së grupit parlamentar të Levizjës Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me kriminelin Milan Radoiçiq.
Në këtë seancë të thirrur nga opozita, nuk mori pjesë mazhoranca.
Musliu e quan kryeministrin “llaskuc politik”

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e ka quajtur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin “llaskuc politik”.
“Ky mandat i qeverisë po përfundon ashtu siç ka nisur – keq. Llaskuc politik dhe pa asnjë kriter njerëz e kombëtar. Edhe 100 vjet pas nëse qeverisë VV-ja nuk ia del dot të barazohet por as t’i afrohet sukseseve të PDK-së dhe ky fakt e lë pa gjumë Binin, ky fakt ia rëndon qafën Binit”, tha Musliu
Bajrami: Të hetohen se cilat kanë qenë kërkesat e Radoiçiqit për Kurtin – cila është kostoja që ka paguar Kosova

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se organet e drejtësisë duhet ta hetojnë Mimoza Kusari-Lilën, lidhur me audio-incizimin që u publikua në media, ku ajo dëgjohet duke biseduar me Milan Radoiçiq, të akuzuarin kryesor për sulmin terrorist në Banjskë dhe të sanksionuarin nga ShBA’të.
Bajrami ka thënë se duhet të hetohen edhe se cilat kanë qenë kërkesat e Radojçiqit për Kryeministrin Albin Kurti.
“Sepse ne e kemi pa edhe rezultatin e atij koordinimi që ka qenë votimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës i Listës Serbe për pagën minimale. Ne sot na duhet me ditë se cila është kostoja që Republika e jonë, e katandisur si mos më keq në këto vitet e pasluftës dhe pas pavarësisë në skenën ndërkombëtare që e ka marrë imazhin e agresorit dhe jo të viktimës që e ka pas, cila është kostoja që Republika e Kosovës e ka paguar si rezultat i këtij koordinimi me terrorristin Radoiçiq”, ka deklaruar Bajrami në Kuvend.
Sipas saj, niveli i parë i përgjegjësisë për këtë çështje i takon Kurtit.
“Në emër të LDK-së kërkoj nga organet e drejtësisë të bëhet një hetim, të hetohet Mimoza Kusari-Lila, e cila ka leju me u bë mashë e Albin Kurtit, mirëpo niveli i parë i përgjegjësisë i takon atij, Shefit të Mimoza Kusarit, Kryeministrit Albin Kurti”, ka deklaruar tutje ajo.
Lekaj për Kurtin: Një lider që vije nga petku i patriotizmit, tani do të shkojë me petkun lara- lara

Deputeti i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës (AAK), Pal Lekaj në seancën e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës sot tha se fajet e bisedave të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me Milan Radoiçiq i ka kryeministri Kurti dhe jo Kusari-Lila, por ai gjithashtu fajson edhe Dejona Mihalin.
“Kolegë të Vetëvendosjes, ku jemi mshefë dilni prej biruce sepse nuk mbrohet kështu veprimi juaj që e keni bërë. Vetëvendosje ka ardhur me një fletushkë të manifestit të partisë komuniste, që e ka paraqitur programin qeveritar dhe për këto katër vite nuk ka qytetarë që e gjen një të mirë që e kanë bërë për këtë vend. Ata pas katër viteve po shkojnë kokë ulur”, tha ai.
Ndërkohë, sa i përket bisedës së Kusari-Lilës me Radoiçiq, deputeti nga AAK thotë se Dejona Mihali i ka premtuar mbështetje për këtë veprim.
“Asnjë qytetarë nuk do të kishte menduar që ju do të komunikoni me terroristin Radoiçiq, është e pa kuptimtë se një lider që vije nga petku i patriotizmit dhe i veshur kuq e zi, tani pas katër viteve do të shkojë me petkun lara- lara. Kjo është politika e tyre turpëruese dhe ne me të drejtë i themi Mimozës që nuk i ki fajet ti, po fajet i ka kryeministri dhe kryetari i Vetëvendosjes që me urdhëra të tij ke vepruar. Fajet i ka Dejona që në komunikim të vazhdueshëm, keni qenë me të dhe ju ka premtuar që do të keni mbështetje ku janë mshefë, ku jeni sot me mbrojtë Mimozën. Nuk keni të drejtë se e keni bërë një gabim që historia nuk do t’ja falë”.
Sipas Lekaj, kryeministri Kurti me këtë rast e ka dëshmuar se nuk i donë qytetarët por e dëshiron pozitën drejtuese.
“Mund t’ju themi qytetarëve sot me plot të drejtë se kur kemi thënë ditët e para që kryeministri është mashtrues dhe ju ka mashtruar. Për katër vite ju ka mashtruar dhe do t’ju mashtrojë për jetë e mot nëse i besoni, sepse me këtë ka dëshmuar jo që i donë qytetarët por e donë pozitën dhe karrikën “, deklaron ai./21Media
Zemaj për komunikimin me Radoiçiqin: LVV-ja është zënë me pelë për dore

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka thënë se komunikimi i shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, terroristin Millan Radoiçiq është tradhti kombëtare.
Ai gjatë debatit në Kuvend në lidhje me përgjimet Kusari-Lila e Radoiçiq tha se LVV-ja është ‘zënë me pelë për dore dhe se kot e kanë të bërtasin e ulërasin pasi u dëshmua se janë koordinuar me një terrorist’.
“Dakordimi me personin me fletëarrest të lëshuar për aktivitete kriminale, i përfshirë edhe në listën e zezë të SHBS’së, dakordimi për tema të brendshme është padyshim tradhti. Prandaj skema është e qartë dhe s’kemi nevojë për fjalime të gjata. Thjesht është një njollë e zezë e LVV-së për bisedat e turpshme me kryeterroristin…Keni implikuar shtetin, keni implikuar Republikën e Kosovës në këtë veprim tepër të rrezikshëm, tepër të ulët dhe anti-kombëtar.…Sado që të bërtitni e ulëritni, kot e keni. Jeni koordinuar me një terrorist. Këtu mbaron tregimi, sepse siç thotë populli, jeni zënë me pelë përdore”, deklaroi Zemaj.
Kastrati: Mimi dje ishte në kanalizim deri në fyt

Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, ka thënë se ka mbetur i befasuar me narrativën e shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, të mohimit rreth audi-incizimit me Milan Radoiçiqin.
Ai tha se Kusari e ka krijuar një imazh të një politikane qesharake.
“Mbeta i befasuar me narrativën e saj dje të mohimit të situatës me përdorimin e fjalëve të saj. Është bërë arkitekte e situatës së vetë. 100 vetë po e shohin që ke folë veç ajo e ka parë një situatë tjetër. Mimi dje ishte në kanalizim deri në fyt dhe me buzëqeshje që refuzonte të pranojë veprimin dhe pasojat e saj. Kjo shkollë është e Albinit”, tha Kastrati.
“Kurti dhe LVV do të mbesin mashtrues në historinë politike të Kosovës”

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti e kanë turpëruar Kuvendin e Kosovës por do të mbesin mashtrues në historinë politike të Kosovës.
Hoxha këto komente i bëri në seancën e Kuvendit të Kosovës.
“E vërteta është se këta negociojnë me kriminel, e negociojnë drejtësinë me kriminel, gjykatësit i negociojnë me kriminel, e negociojnë dinjitetin e veteranit të UÇK-së me kriminel, e negociojnë mirëqenien dhe të ardhmen e qytetarëve të Kosovës me kriminel. Ky është dallimi. Pra, zyrtarisht këta nuk bashkëpunojnë me Listën Serbe në mënyrë institucionale, por privatisht, në biseda, nëpër zyre kudo qoftë, koordinohet me ta përmes një krimineli dhe dje i dëgjuam duke moralizuar në merër të së kaluarës. Në fakt këtu nuk ka vend për moralizim fare sepse këto akte do të duhej të shqyrtoheshin nga organet e rendit si fyerje dhe rendit kushtetues të Kosovës. Ndërsa, moralisht nga kjo foltore iu them se Albin Kurti i kanë mashtruar qytetarët e Kosovës duke premtuar shpresë e zhvillim, kanë mashtruar aleatët e Kosovës duke premtuar dialogim e integrim, kanë mashtruar të rinjtë duke premtuar edukim dhe punësim, na kanë mashtruar edhe ne dhe e kanë turpëruar Kuvendin e Kosovës por mashtrues do mbesin në historinë politike të Kosovës, mashtrues me emër dhe mbiemër, albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje”, tha ajo.
Abazi: Bisedat e Kusarit me Radoiçiqin, janë taktika të Kurtit

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi ka thënë se bisedat e Mimoza Kusari-Lila me Milan Radoiçiq, janë taktika të kryeministrit Albin Kurti.
“Ua kemi borxh shqiptarëve që ta zbërthejmë deri në fund bisedat e Mimoza Kusarit janë taktika të Albin Kurti, për të mbërritur tensionin e mjaftueshëm për të manipuluar qytetarët”, tha Abazi.
Po ashtu, Abazi tha nga foltorja e Kuvendit se për të mbledhur poenta politike nga pozita në shtet, janë shitur interesant e vendit
Haradinaj: Kurti po lan borxhe ndaj Serbisë

Kryetari i Aleancës Demokratike të Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovë, tha se po i gjuhen në qafë Mimoza Kusari-Lilës me të drejtë dhe gjithashtu sipas tij ajo është varëse e kryeministrit Kurti.
“Si kam besuar syve të mi sepsw hera e parë dhe e vetme që kam parë parti shqipëtare dhe Listën Serbe duke votuar bashkë kundër UÇK-së. Me daljen e përgjimeve, unë mendoj se situata është si vijon, së pari ne po i gjuhemi në qafë Mimoza Kusari Lila me të drejtë se ajo është zbatuesja por mos të harrojmë se ajo është varëse e Albin Kurtit. “Gjatë kohës së Qeverisjes së z. Kurtit, ai përpos baneses që kishte në veriun e Mitrovicës, të cilën e bastisi Policia e Republikës së Kosovës, ai ndërtoi një villë të madhe dhe të bukur afër një liqeni dhe ai arriti edhe të lidhë marrëveshje me Albin Kurtin edhe si i ndjekur nga drejtësia e Kosovës dhe në listë të zezë të SHBA-ve. Tani është kthyer Radoiçiq në faktorë të marrëveshjeve me Kurtin”, tha ai
“Marrëveshjen Lista Serbska, Vetvendosje për t’i larguar veteranët dhe kategoritë e lirisë për t’u mos përfshirë në pagën minimale, por unë themë se Kurti është shpiunë i Serbisë dhe njeri i Serbisë. A ka akt më transparent të tradhtisë sesa mu bë me armikun, kundër ushtarëve të lirisë. Janë akuzuar këtu veç e veç secili subjekt politik që ka pasur bashkëpunim me Listen Serbe për të qeverisur që buron nga kushtetuta e vendit që nuk është e jashtëligjshme. Kurti në fund ka bërë marrëveshje me Vuçiqin kundër UÇK-së. Më mirë do të ishte me qenë Kurti në këtë foltore sesa të lë Kusarin për t’u përballur me të bëmat e saj si varëse dhe me ardh vet me fol se pse e ka bërë dhe si e ka bërë”
“Nëse në vitin 2018 paska qenë gabim të takohesh me Radoiçiqin si nënkryetar i Listës Serbe, i pandjekur nga drejtësia e Kosovës, pra pa asnjë akuzë në Kosovë, i papërfshirë në listën e zezë të SHBA-së, çka është komunikimi me të pasi e ndjek drejtësia, pasi ka aktakuzë prej Kosove, pasi e shti në listë të zezë SHBA. Çka është kjo? Është larje e borxhit ndaj Serbisë, ndaj Vuçiqit, ndaj BIA-s. Kurti po i lan borxhet. A ka akt më transparent të tradhtisë sesa me u bë me armikun kundër ushtarëve të lirisë”, ka thënë Haradinaj./21Media
Quni: Është e paimagjinueshme që një deputet e përdhos betimin, për marrëveshje me Radoiçiqin

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në lidhje me përgjimet e shefes së Grupit parlamentarë të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila me kriminelin Milan Radoiçiq, tha se në asnjë rrethanë asnjë qeveri nuk ka detyrim të aranzhojë marrëveshje jashtë praktikave normale dhe jashtë syrit të publikut.
“Cilado qeveri në asnjë rrethanë për t’i shtyer agjentat, proceset dhe veprimet e saj nuk do të ngushtohet apo të detyrohet të aranzhojë marrëveshje jashtë praktikave të normave morale, jo transparente, jashtë syrit të publikut, të mbajtura në fshehëta, dhe të kushtëzuara nga njeriu më i kërkuar për akte kriminale, me flet arrest ndërkombëtarë dhe i vendosur në listë të zezë të shteteve të Bashkuara të Amerikëës Milan Radoiçiq”, tha ai.
Sipas deputetit të opozitës, është e paimagjinueshme se si një deputet e përdhos betimin e dhënë për t’u bërë deputet për të bërë marrëveshje me kriminelin serb Radoiçiq.
“Isha i bindur se betimi i deputetit është betim që buron nga zemra dhe shpirti, është fjalë e dhënë, besë para qytetarëve dhe miqëve. Në asnjë rrethanë, deputeti nuk e vendosë interesin personal para atij kombëtarë dhe shtetërorë. Është e paimagjinueshme që një deputet e përdhos këtë betim, me fjalë dhe besë, duke arritur marrëveshje me krye kriminelin Milan Radoiçiq”. /21Media
Tahiri-Kusarit: Kush ju kanë dhënë dhurata fëmijëve të Radojçiqit

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri në seancën e jashtëzakonshme sot i bënë thirrje shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Mimoza Kusari-Lila për të zbuluar se kush janë ata njerëz që kanë marrur pjesë në përurimin e shtëpisë së Radojçiqit.
“Është vërtetë fatkeqësi e madhe me pa këtë kuvend dhe me pa një shumicë prej 50% të cilat i ka fituar zgjedhjet dhe t’i ikë ballafaqimit me të vërtetën. Këtë nuk e kemi parë asnjëherë në të kaluarën dhe shpresoj që të jetë hera e fundit që po e shohim kështu, Kuvendi ku do të duhej të ishte z. Kusari-Lila së bashku me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ata të cilën na kanë sjellur në këtë Kuvend Milan Radojçiqin, të jenë sot dhe të ballafaqohen me të vërtetën. Ajo që është shumë e rëndësishme dje pikërisht në këtë foltore z. Kusari-Lila, pati edhe aludime që do të nxjerrin edhe fotografi, dhurata dhe pamje nga përurimi i shtëpisë së Radojqiçit me zyrtarët e shtetit të Kosovës”, tha Tahiri.
Tahiri i bënë thirrje Kusari -Lilës të zbulojë se kush janë personat që ju kanë dhënë dhurata fëmijëve të Radojçiqit.
“I kam bërë thirrje edhe dje dhe i bëjë thirrje edhe sot që është në interes të shoqërisë dhe të shtetit të Kosovës për t’u parë se kush janë ata njerëz që kanë marrur pjesë në përurimin e shtëpisë së Radojqiçit dhe kush janë njerëzit që kanë dërguar dhurata për familjen dhe për fëmijët e tij. Sepse një gjë e tillë e cënon sigurinë kombëtare të vendin tonë”, deklaroi ai. /21Media
Nis seanca e jashtëzakonshme për përgjimet, VV-ja s’merr pjesë
Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ku do të debatohet për komunikimet e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, terroristin, Milan Radojiçiq. Mirëpo në seancë nuk po marrin pjesë deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Në sallën plenare janë vetëm deputetë të partive opozitare.
Seancën po e kryeson nënkryetari i Kuvendit, Enver Hoxhaj.