Opozita pa pushtetin në Kuvend, diskutojnë çështjen e ushqimit në FSK

(Lajm i përditësuar)


​Deliu: VV-ja e ka hallin te tenderët, jo te sigurimi i ushqimit për ushtarët 

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka thënë se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, në vend që të fokusohet për sigurimin e ushqimit për ushtarët e FSK-së, ata hallin e kanë në tenderë.

Ajo në seancën e sotme të Kuvendit, ku po diskutohet për mungesën e ushqimit të ushtarëve në FSK, kritikoi mazhorancën, siç tha po ikin nga ballafaqimi me opozitën, qytetarët dhe vet ushtarët e FSK-së.

Deliu përmendi edhe deputetë të pushtetit, siç tha që kanë vëllezërit sekretar në Ministri të Mbrojtjes.

“Vetëvendosja e ka hallin te tenderët. Komplet i madh dhe i vogël brenda kësaj partie sot hallin më të madh e kanë për tenderë. Këta deputetë që sot po thonë që opozita duhet me reflektu. Këta deputetë i kanë përgjegjës vëllezërit dhe motrat sekretar që bëjnë politika me ushtarët e Kosovës. Sot po kërkojnë me reflektu kjo opozitë dhe me u përballë me qytetarët e Kosovës. Me u përballë me djemtë dhe cikat që në kohë më të rënda i kanë dal zot këtij vendi”, tha ajo.


Kadrijaj për mungesën e pozitës: Me siguri janë nëpër zyra t’u hongër Plazma

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se FSK-ja duhet të trajtohet në mënyrë të dinjitetshme.

Gjatë fjalës së saj në seancën e Kuvendit për mungesën e ushqimit në FSK, tha se ushtarët pos ushqimit duhet të kenë paga më të mirë e pajisje individuale.

Po ashtu, Kadrijaj u shpreh se është e turpshme mospjesëmarrja e VV-së në debatin e sotëm parlamentar.

“Ikja e kësaj mazhorance për të mos dashur të ballafaqohen me realitetin është e turpshme, se di ku janë ose ku po fshihen pas këtyre skandaleve, por sigurisht janë nëpër zyra t’u hongër plazma sepse tash kemi mjaft. Shqetësuese kjo që po diskutojmë sot, s’kishim dashtë asnjë me diskutu për këtë sepse është e turpshme çka po ndodh në këtë vendin tonë. Në këtë qeveri po degradohen institucionet e sigurisë. Sot një kryeministër po shkatërron gjithçka që është ndërtuar me mund që 25 vjet, por pa të rrejtë Albin Kurti nuk mundesh me ditë çka është rrena. Po shihet që kjo qeveri ka ardh në pushtet me rrena dhe mashtrime. Policia është e Kosovës, Ushtria poashtu. Ata duhet të trajtohen në mënyrë të dinjitetshme, duhet të kenë paga më të mira, pajisje individuale të cilat nuk i kanë shumica prej ushtarëve të FSK-së”, tha ajo.


Haradinaj: Kurti është spiun i Serbisë, e la ushtrinë e vet pa bukë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, sërish e ka quajtur “spiun” të Serbisë kryeministrin e vendit, Albin Kurtin.

“Po, është spiun i Serbisë. është tradhtar ai njeri që e lë pa bukë ushtrinë e vet pa bukë. Pse po i ndodh këtij, dhe nuk i ndodhi dikujt tjetër gjatë ekzistencës sonë që 20 vjet”, ka thënë Haradinaj.

Ai thotë se angazhimi ditor i Kurtit është mashtrim, dhe se nuk punon në interes të vendit.

“Angazhimi i tij ditor i tëri është mashtrim, ai nuk punon në interes të vendit. Vazhdon të dobësojë shtyllat jetike të sigurisë vendit. Ai godet pa mëshirshëm policinë e vendit, AKI-në, ushtrinë, në mënyrat më të ulëta, dhe vazhdon të i godas”, ka thënë ai.


Quni: Ushqimi i ushtarëve të FSK-së s’është emergjencë e papritur

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni në seancën e jashtëzakonshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës tha se shteti i Kosovës nuk ka shpallur gjendje emergjente kombëtare dhe sipas tij ushqimi nuk është një emergjencë e papritur.

“Është e papranueshme që një procedurë kaq e rëndësishme si ajo për ushqimin e Ushtrisë sonë të shpërfaqë shkeljet elementare, ku procedurat e tilla fillimisht klasifikohet si sekrete e në më pastaj si procedurë ekstreme emergjente në kundërshtim të plotë me legjislacionin dhe praktikat e mira të ministrive të mbrojtjes të shteteve demokratike”, tha ai.

Sipas deputetit të LDK-së, ushqimi i ushtarëve nuk është një emergjencë, por diçka që planifikohet

“Ministria e Mbrotjes nuk ka arritur të planifikojë përfundimin e kontratës së furnizimit me ushqim në mënyrë të duhur dhe me kontraktorin e mëparshëm kishte lidhur një kontratë mbi tre herë për periudhat deri në gjashtë muaj me një vlerë prej 7 milionë euro. Kosova nuk ka shpallur gjendje emergjente kombëtare, ushqimi nuk është një emergjencë e papritur, është diçka që mund të planifikohet me kalendar dhe me transparencë. /21Media


Deputeti i PDK-së: Qeveria Kurti ka agjendë zhbërjen e shtetit të Kosovës

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha në lidhje me çështjen e ushqimit të FSK-së tha se për ushtarët e FSK-së është një sinjal i qartë i problemeve të menaxhimit dhe mungesës së përgatitjes afatgjate.

“Asnjë ushtarë nuk e ka lënë uniformen, për shkak të ushqimit apo bashkimit familjar e tjera trillime që janë munduar të mbrohen nëpërmjet mediave. Kjo qeveri ka agjendë për zhbërjen e shtetit”, u shpreh ai.

Sipas deputetit të PDK-së, çështja e ushqimit për ushtarët në FSK është sinjal i problemeve të menaxhimit.

“Së fundmi nga raporti final i rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë ku janë analizuar kapacitetet ekzistuese dhe ato që duhet të krijohen sipas skenareve nga të gjitha institucionet e vendit. Çështja e ushqimit për ushtarët e FSK-së ëshë një sinjal i qartë i problemeve të menaxhimit dhe mungesës së përgatitjes afatgjate. Komandanti i Forcës ka paralajmëruar se përpos mungesës së ushqimit dhe rrezikun nga helmimet edhe ndërprerjen e aktiviteteve të planifikuara ushtarake të Forcës, nëse nuk merren masa urgjente për situatën”, tha Berisha gjatë seancës. /21Media


​Berisha për çështjen e ushqimit në FSK: Nuk ka lojë me ushtrinë

Deputeti i Aleancës së Ardhmërisë të Kosovës (AAK), Bekë Berisha në lidhje me çështjen e ushqimit në FSK u shpreh se “duhet të pranojmë se gjendemi në një situatë shqetësuese” dhe gjithashtu sipas tij “nuk ka lojë me ushtrinë” duke mos anashkaluar edhe mbatjen e detyrës dhe plotësimin e kushteve.

Në seancën e jashtëzakonshme për këtë çështje ai ka bërë thirrje që të japin dorëheqje ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci zëvendësministri e sekretari i kësaj ministrie.

“Duhet të pranojmë që situata aktuale është tepër shqetësuese, trajtimi i ushtarëve tonë me neglizhencë është një shkelje e rëndë e përgjegjësisë së kësaj qeverie. Kriza e furnizimit me produkte esenciale për FSK-në është një sinjal alarmant që kërkon zgjedhje të menjëhershme”, u shpreh Berisha.

Deputeti i AAK-së, paralajmëron qeverinë se nuk ka lojë me ushtarët e FSK-së sepse sipas tij shteti dështon.

“Po e përsërisë nuk ka lojë me ushtrinë, mbaheni detyrën, plotësoni kushtet, përndryshe shteti dështon dhe ju në krye me të”, deklaroi Berisha.

Sipas tij ushtarët të cilët janë në FSK, nuk duhet të kenë shqetësim për marrjen e shujtave.

“Ushtria jonë është krenaria e vendit tonë dhe është simbol i shpreses për një të ardhme të sigurtë dhe të qëndrueshme. Ushtarët nuk duhet të jenë të shqetësuar se a kanë ushqim gjatë ditës dhe se me çfarë kualiteti ju shërbehen shujtat. Nëse ju e quani vetën qeveri, këto gjëra nuk lejohen të ndodhin, në asnjë qeveri më herët nuk ka ndodhur. Duhet me ngulm të përmbushni obligimet të cilat ju i keni dhënë dhe jo të propagandoni ashtu siç ju dini”, tha ai. /21Media


Opozita pa pushtetin në Kuvend, diskutojnë çështjen e ushqimit në FSK

Ka filluar seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, mirëpo në këtë seancë nuk janë të pranishëm deputetët e parisë në pushtet, VV-së.

Këtë të hënë deputetët opozitarë po diskutojnë lidhur me problemin e furnizimit me ushqim në Forcën e Sigurisë së Kosovës./21Media


VV bojkoton seancën e thirrur nga opozita për ushqimin në FSK

Kuvendi i Kosovës sot nga ora 12:00 do të mbajë seancë të jashtëzakonshme.

Në rend dite do të jetë trajtimi i problemit të furnizimit me ushqim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Megjithatë, Vetëvendosje nuk do të marrë pjesë në këtë  seancë.

Në një konferencë për media, deputeti i VV-së, Enver Dugolli, ka thënë se nuk do të marrin pjesë në asnjë seancë të thirrur nga opozita derisa ata “të reflektojnë”.

“Tentimi për të diktuar apo shantazhuar grupin tonë parlamentar për shkarkimin e zonjës Mimoza Kusari- Lila si shefe e GP si kompensim i pjesëmarrjes në seanca dhe votimeve në këtë legjislaturë, është absurd, për të cilin ne nuk e pranojmë. Ne as nuk përzihemi se kë e votojnë ata për shefa GP të tyre e aq më pak të pranojmë kushtëzime të tilla për shefen e Grupit tonë Parlamentar. Si rrjedhojë ne nuk marrim pjesë në asnjë lloj seancë apo iniciative që vie nga ana e tyre derisa ata nuk reflektojnë dhe të shmangin këtë formë imponimi i cili nuk kalon”, tha ai.

“Në fillim të tetorit me kërkesën e bërë nga opozita, në mënyrë unanime ëprkrahëm kërkesën e tyre për të ftuar ministrin Ejup Maqedonci në raportim. Me shumë se tri orë diskutuam dhe ministri iu përgjigj të gjitha pretendimeve dhe shqetësimeve të ngritura nga opozita rreth çështjes së ushqimit dhe temave tjera në dy seanca. Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme nga opozita është vazhdimësi e një serie të dezinformatave që synon tash e disa ditë ta keqinformojë qytetarin. Kjo po bëhet me qëllim që ta dobësojë rolin e FSK’së që këto katër vitet e fundit ka bërë një progres të jashtëzakonshëm”, ka thënë ai./21Media

Back to top button