“Shkalla reale e papunësisë në Kosovë sillet prej 30 deri në 40%”

Njohës të fushës së ekonomisë kanë vlerësuar se raporti i fundit i Bankës Botërore i cili paraqet Kosovën si vendi me shkallën me të ulët të personave të punësuar shpërfaqë një jo funksionalitet të tregut të punës dhe një sistem arsimor të paaftë për të plotësuar nevojat e tregut të punës. Këto deklarata pason një raport të Bankës Botërore ku vlerësohet se në Kosovë vetëm 37.1 % e popullsisë në moshë pune është e punësuar.

Ndonëse vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shënuar një rritje të moderuar ekonomike gjatë vitit 2024, rritje kjo e cila ka nxitur punësimin në rajon një gjë e tillë nuk ka ndodhur në Kosovë. Sipas këtij raporti, Kosova ka përjetuar një rritje ekonomike prej 3.8% por që vazhdon të përballet me papunësi të lartë. Banka Botërore ka vlerësuar se Kosova ka numrin më të ulët të të punësuarve. Nga rreth 1.2 milionë banorë të cilët janë të aftë për punë në Kosovë punojnë vetëm 37.1 për qind e tyre, pjesa tjetër vazhdon të jetë pasive.

“Në Kosovë, përkundër përfitimeve të fundit, vlerësohet se vetëm 37.1 përqind e popullsisë në moshë pune është e punësuar”.

Sipas Agjencisë së Statistikave vlerësohet se rreth 600 mijë qytetarë janë të aftë për punë por të njëjtit as nuk punojnë e as nuk janë në kërkim të një pune nga rreth 1.2 milionë të cilët janë të aftë për punë. Ndërkaq sipas kësaj Agjencie shkalla e papunësisë në fund të vitit 2023 ishte 10.9%. Statistikë kjo e cila vazhdon të mbështetet nga ministri i financave Hekuran Murati.

“Raporti i Bankës Botërore, siç edhe mund të shihet në tabelën më poshtë, e thotë që papunësia në Kosovë në fund të vitit 2023 është 10.9%. Shifra që disa media po i referohen në atë raport, ka të bëjë me pjesëmarrjen e popullsisë aktive në tregun e punës, pra tregues tjetër prej atij të papunësisë.Kushdo që e ka lexuar së paku një libër për këtë temë, din ta bëjë dallimin në mes të shkallës së papunësisë dhe shkallës së pjesëmarrjes së popullsisë aktive në tregun e punës”, ka thënë Murati.

Njohës të fushës së ekonomisë vlerësojnë se matjet e Agjencisë së statistikave për papunësinë bëhen sipas metodave të Eurostatit, të cilët krahasojnë vetëm numrin e atyre të cilët kërkojnë punë nëpër agjencitë e punësimit, ndërsa pjesa tjetër nuk merret parasysh. Sipas tyre shkalla reale e papunësisë është 30 deri në 40%. Kryetari i dhomës së tregtisë, Skënder Krasniqi, vlerëson se për dallim nga vendet Evropiane, Kosova nuk i përkrah financiarisht qytetarët që kërkojnë punë.

“Entet për punësim kërkojnë që çdo gjashtë muaj qytetarët të paraqiten si të papunë. Vendet e Evropës i përkrahin financiarisht të papunët Kosova nuk i përkrah andaj edhe qytetarët refuzojnë të regjitsrohen”, ka thënë Krasniqi.

Në anën tjetër viteve të fundit bizneset në Kosovë janë ballafaquar me mungesë të fuqisë punëtore. Njohësi i ekonomisë Lekë Musa vlerëson se kjo vjen si pasojë e sistemit të dobët arsimor.

“Kjo flet për një treg jo funksional të punës dhe një sistem arsimor të paaftë për të përgatitur qytetarët për tregun e punës”, ka thënë Musa për rtv21.

Banka Botërore vlerëson se në vitin 2025 Kosova do të shënojë një rritje ekonomike prej rreth 4 %, rritje kjo e pa mjaftueshme për të zvogëluar shkallën e lartë të papunësisë dhe deficitin tregtar./RTV21/21Media

Back to top button