Shtyhet fillimi i gjykimit për çështjen Januzi dhe të tjerët

Është shtyrë fillimi i gjykimit për çështjen Januzi dhe të tjerët Kështu bëhet e ditur nga një njoftim nga Gjykata Speciale.
“Pas kërkesës së palëve në këtë çështje gjyqësore, seancat e planifikuara më 14 dhe 15 nëntor në gjykimin e Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës nuk do të mbahen.Më shumë informacion do të jepet sapo të jetë i disponueshëm.”, thuhet në njoftim.
Sabit Januzi, Ismet Bahtijari dhe Haxhi Shala akuzohen për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe frikësim gjatë procedurave penale. “Konkretisht, në Aktakuzë pretendohet se midis 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, të udhëzuar nga z. Shala, z. Januzi dhe z. Bahtijari u takuan secili më vete me një dëshmitar në dy raste për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para DHSK-së, përfshirë përmes kërcënimit të rëndë dhe premtimit për dhuratë, apo për ndonjë formë tjetër përfitimi.”, thuhet në njoftim.
Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari u arrestuan më 5 tetor 2023 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 6 tetor 2023. Në paraqitjen e tyre të parë më 9 tetor 2023, si . Januzi dhe Bahtijari u vetëdeklaruan të pafajshëm në lidhje me të gjitha pikat e Aktakuzës.
Haxhi Shala u arrestua më 11 dhjetor 2023 në Kosovë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të DHSK- së më 12 dhjetor 2023. Në paraqitjen e tij të parë më 13 dhjetor 2023, Shala nuk u deklarua në lidhje me fajësinë ose pafajësinë. Në paraqitjen e mëtejshme më 15 dhjetor 2023, ai u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat.
Më 13 dhjetor 2023, ZPS-ja dorëzoi kërkesë për bashkimin e çështjes kundër Januzi dhe Bahtijari me çështjen kundër Shala. Më 8 shkurt 2024, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për bashkimin e dy çështjeve gjyqësore.
Pas ndryshimit të njërës prej akuzave për Januzin dhe Bahtijarin më 8 korrik 2024, paraqitja e mëtejshme e Januzit dhe Bahtijarit u mbajt më 12 korrik 2024, gjatë së cilës të dy u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzën e re ndaj tyre në aktakuzën e përbashkët të ndryshuar.
Më 16 shkurt 2024, ZPS-ja dorëzoi dosjen e vet paraprake, ndërsa versionet më të fundit të dosjeve paraprake të tri ekipeve të Mbrojtjes u dorëzuan më 2 shtator 2024. Versionet e redaktuara publike të dosjeve paraprake të ZPS-së, Shalës dhe Bahtijarit janë të disponueshme./21Media