Policia jep detaje për vrasjen në Klinë, arrestohet një person

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin në Klinë, ku pas të shtënave me armë nga një i dyshuar kanë vdekur dy persona.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë. Si pasojë, njeri prej tyre ndërron jetë në vendin e ngjarjes, vdekjen e të cilit e konstaton ekipi mjekësor, ndërsa tjetri dërgohen në Spitalin e Pejës ku për shkak të plagëve të marra ndërron jetë”, thuhet në raportin e policisë.
Sipas njoftimit në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet përkatëse, derisa arma e zjarrit me një karikator me katër fishekë dhe tri gëzhoja janë konfiskuar.
“Me vendim të prokurorit, trupat e pa jetë dërgohen në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin dje është deklaruar edhe prokurorja Sahide Gashi. Ajo ka thënë se ende nuk dihen motivet që çuan në këtë akt të rëndë.
“Rasti është tragjik, pasi ka marrë jetën e dy personave të rinj. Detajet ende nuk i kemi, por jemi në proces të mbledhjes së provave dhe ekzaminimit të vendit të ngjarjes”, tha Gashi.
Ajo shtoi se trupat e viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
“I dyshuari, edhe ai i moshës së re, është arrestuar falë punës së shpejtë të policisë”, përfundoi prokurorja./21Media