Osmani: Nëse Serbia jo, Kosova të zbatoj pjesën e saj të marrëveshjes, me garanci në këmbim të anëtarësimit në NATO

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin vjetor në Kuvendin e Republikës së Kosovës ka folur edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ku ka theksuar sërish mos-trajtimin e njëjtë nga Bashkimi Evropian.

E para e shtetit tha se një gjë e tillë dëshmohet edhe me faktin se ani pse Serbia kreu agresionin në Banjskë, nuk janë vendosur masa ndaj saj, ndërsa viktima e që është Kosova vazhdon t’i ketë ende ato.

“Dialogu me Serbinë i udhëhequr nga BE-ja fatkeqsisht ka qenë komplet i pabalancuar, me një trajtim të padrejtë të Kosovës dhe një akomodim të vazhdueshëm ndaj Serbisë. Fakti që në tavolinën e dialogut sot shteti që kreu agresion, Serbia, nuk është nën masa, kurse viktima është nën masa është dëshmia më e qartë e kësaj mungese të balancit”, tha Osmani.

Lidhur me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Presidentja Osmani tha se kur ajo kishte propozuar që ky proces të diskutohet me ShBA-në dhe të mos lihej në dorën e emisarit slloven, Miroslav Lajçak, ajo tha se ishte përballur me sulme të ulëta.

“Më duhet të them me keqardhje se propozimet që shpesh kam bërë për përmirësimin e këtij procesi janë ballafaquar me një sërë dezinformatash e sulmesh të ulëta që nuk i kanë hije askujt në Kosovë. Për të qenë edhe më e qartë, kur unë kam propozuar që draft i Asociacionit të fillohet të diskutohet me ShBA-në, që çështja mos t’i lihet në dorë as Lajçakut as të tjerëve që nuk besojnë në pavarësinë e Kosovës, kjo nuk ka nënkuptuar asnjëherë që unë kam kërkuar themelim të Asociacionit, por ka nënkuptuar që më shumë i kam besuar më shumë vetvetes tonë dhe Amerikës, se sa disa byrokratëve nga shtete jo-njohëse”.

Back to top button