Konjufca me Gashin diskutuan për rrugën e integrimeve evropiane dhe zhvillimin ekonomik

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca sot është takuar me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut Afrim Gashin.

Sipas njoftimit, Konjufca në takim ishte i shoqëruar nga nënkryetarja Saranda Bogujevci, shefi i Kabinetit, Ilir Kërçeli, ambasadori Florian Qehaja dhe këshilltarët.

“Në pritjen që i bëri homologut të tij Gashi, kryeparlamentari Konjufca shprehu bindjen se takimet dhe angazhimi i përbashkët i shërbejnë rritjes së bashkëpunimit të shkëlqyer midis Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke i konsideruar ato si përpjekje për më të mirën e qytetarëve tanë”, thuhet në kumtesë.

Aty tutje thuhet se Konjufca dhe Gashi diskutuan aspekte të ndryshme të parlamentarizmit dhe folën për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit midis institucioneve legjislative.

“Gjithashtu, biseduan edhe për çështje të tjera të interesit të përbashkët, duke përfshirë rrugën e integrimeve evropiane, zhvillimin ekonomik, tregtar dhe stabilitetin e rajonit tonë”.

Konjufca shtoi se bashkëkombasit, vlerat dhe synimet e përbashkëta janë ato që qëndrojnë midis raporteve të shkëlqyera shtetërore si garanci e këtij bashkëpunimi të shkëlqyer dhe thellimit të tij.

Back to top button