Zëdhënësi i DASH-it: Dënojmë sulmin në veri, ofrojmë mbështetje për ndëshkimin e përgjegjësve

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, ka thënë se dënon sulmin ndaj kanalit të ujësjellësit të Ibër-Lepencit që ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit në veri të Kosovës, duke ofruar mbështetje për t’i ndëshkuar përgjegjësit.

Ai ka shkruar në rrjetin social X se do t’i vlerësojnë mbështetësit për tejkalimin e kësaj situate.

“Dënojmë sulmin e 29 nëntorit në ujësjellësin e Kosovës. Ne do t’i mbështesim përpjekjet për të gjetur dhe ndëshkuar përgjegjësit si dhe do t’i vlerësojmë ofertat e mbështetjes në këtë përpjekje”, ka shkruar Miller, derisa ka përmendur KFOR-in dhe kontribuuesit e tjerë që ndihmuan në rivendosjen e furnizimit me ujë.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla së bashku me ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ditën e sotme kanë qëndruar në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ku janë informuar për së afërmi nga ekspertët e fushës në lidhje me gjendjen aktuale në kanalin e Ibër-Lepencit.

Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës po vazhdon me punën e saj në ndriqimin e shpërthimit në Ibër Lepenc.

“Policia po vazhdon punën e saj, ky është sulmi më i rëndë në infrastrukturën kritike, nëse dikush mendon se do ta lëmë me kaq, e ka gabim. Institucionet e sigurisë, hetimet do të zbulojnë krejt çka ka ndodh, dhe përgjegjësit do të dalin para drejtësisë”, ka thënë Sveçla.

Back to top button