Premtimet e partive për rritje pagash, reale apo “grep” për vota?

Partitë politike kanë vënë fokusin e tyre për zgjedhjet e 9 shkurtit tek premtimet për rritjen e pagave, duke ngritur diskutimet nëse ato janë reale apo një grep për vota. Ndër parti politike thonë se premtimet për rritje pagash janë reale. Por njohës të vetëqeverisjes lokale dhe një pjesë e qytetarëve vlerësojnë se këto premtime janë të paqëndrueshme dhe vetëm sa për t’i tërhequr votuesit.
Rritja e pagave është kryefjalë e pothuajse e të gjitha partive politike në tubimet e tyre të parafushatës zgjedhore.
Ndërsa qytetarët ka mendime të ndryshme nëse premtimet për rritje pagash janë reale apo vetëm një “grep” për vota.
“Çdonjëri që është para zgjedhjeve e ka këtë synim. Sa më shumë vota i duhet dmth rritja 50 e 100, po nuk është ashtu”, tha një qytetar.
“Këto janë reale se e kanë obligim”, u shpreh një qytetar.
“Veç për vota janë këto”, tha tutje një qytetar tjetër.
“Shumë pak ju besojmë ngase kushtet nuk janë të mundshmë për t’i rritur sa premtojnë partitë politike”, tha një qytetar për rtv21.
Qeveria e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje në tetor mori vendim për rritje pagash në sektorin publik nga janari i vitit të ardhshëm. Rritje pagash kanë premtuar edhe partitë opozitare. Një nga to është edhe LDK-ja e cila ka premtuar rritje të koeficientit të pagave 150 euro.
Në LDK-thonë se ky premtim do të realizohet që në javën e parë të qeverisjes së tyre duke mohuar se ky është një karrem për vota.
“Është premtim që e kemi analziuar goxha moti, ka gati dy vjet që i kemi themeluar grupet e eksperteve…Duke parë situatën me inflacion kemi vendosur që koeficienti të jetë 150 euro. Javën e parë të qeverisjes sonë ky do të jetë premtim i realizuar”, tha për rtv21 Besian Mustafa.
Edhe në AAK thonë se premtimi tyre për rritje pagash është real.
“Është premtim real….rritja”, tha Diellza Kukaj nga AAK.
Për njohësin e vetëqeverisjes lokale, Valmir Ilazi, premtimet e partive politike për rritje pagash janë të paqëndrueshme, vetëm sa për t’i tërhequr votuesit.
“Premtimet për rritje pagash duhet të shoqërohen me plan konkret që përfshinë burimet buxhetore, një analizë të ndikimit ekonomik, dhe një kornizë kohore të zbatueshme, pa këto elemente premtimet mund të shihen thjeshtë si grep për vota që do të harrohet pas zgjedhjeve”, tha Ilazi për rtv21.
Partitë politike ka kohë që kanë nisur parafushatën zgjedhore duke shpalosur programet e tyre për sektor të ndryshëm, derisa fushata zyrtarisht nis më 11 janar./RTV21/21Media