Zjarri në fabrikën e mishit, lëndohet një zjarrfikës

Zjarri që ndodhi në një fabrikë të mishit në Obiliq, përveç dëmeve materiale në këtë kompani, gjatë intervenimit një zjarrfikës ka pësuar lëndime.

Sipas zëvendës komandantit të Brigadës së Zjarrfikësve, Abdusamed Shkodra, zjarrfikësi ka marrë trajtim mjekësor. Ai për kp ka dhënë edhe detaj tjera sa i përket zjarrit në këtë fabrikë.

“Gjatë intervenimit në fabrikën “Apetiti Gropu”, një punëtor i joni, Burim Halili është lënduar ku ka marr lëndime të lehta i cili është dërguar në urgjencë ku ka marrë tretman mjekësor. Ai tani për momentin është në shtëpi. Sa i përket shkaktarit të zjarrit ne nuk i bëjmë hulumtimet e shkaktarit, ende është herët te dihet, duhet të dal në terren inspektori i cili bën vlerësime të shkaktimit të zjarrit dhe mund të vijnë në konstatim se çka ka qenë shkaktari”, thotë Shkodra.

Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje për dëmet që janë shkaktuar nga ky zjarr në këtë fabrikë.

“Sot rreth orës 05:30, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në një fabrikë në fshatin Babimovc. Në vendngjarje janë zjarrfikësit dhe policia të cilët po merren me rastin ku janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Për detaje të tjera njoftoheni me kohë”, thotë zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahemti.

Back to top button