Qeveria ndan nga 100 euro për pensionistët dhe fëmijët

Qeveria e Kosovës ka vendosur të ndajë nga 100 euro shtesë të njëhershme për pensionistët dhe po ashtu nga 100 euro shtesë për gjithë fëmijët të moshave nga 0 deri 16 vjet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar këtë të diel se shteti po e zgjatë dorën për pensionistët dhe fëmijët.

“Ndonëse sot është dita më e shkurtër e vitit, pikërisht sot do ta bëjmë zgjatjen e dorës së shtetit”, ka thënë Kurti.

“Të dashur fëmijë nga 0-16 vjeç do t’i përfitoni edhe sivjet nga 100 euro secili”, ka thënë Kurti në një konferencë për media së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati.

Ai tutje ka njoftuar se nga 100 euro do të përfitojnë edhe pensionistët siç tha ai do të përfitojnë pensionin e 13-të.

Sipas Kurtit këto shtesa po ndahen pas performancës së mirë ekonomike.

Ministri Murati ka thënë se do të mundohen t’i ekzekutojnë javën e ardhshme mjetet.

“Sikurse vitin e kaluar s’ka nevojë për ndonjë aplikim. I kemi listat e përfituesve në data bazat tona, si për pensionistë ashtu edhe për marrësit e shtesave për fëmijë. Do të mundohemi gjatë kësaj jave që të bëjmë përgatitjet teknike që të ekzekutohen pagesat për këtë javë”, ka thënë Murati./21Media

Back to top button