Gratë e Kosovës “pa mbështetje institucionale”, në siguri kibernetike

Siguria kibernetike në Kosovë është njëra ndër sektoret që dominohet më së shumti nga burrat sesa nga gratë.
Në lidhje me këtë çështje specialistja e sigurisë kibernetike, Drenushe Salihu, ka thënë se njëra ndër shkaqet që gratë nuk janë të përfshira në këtë fushë janë paragjykimet.
Salihu në një prononcim për portalin rtv21.tv ka deklaruar se gratë të cilat dëshirojnë të merren me këtë fushë përballen me sfida të shumta përshkak të paragjykime kulturore, ku sipas saj stereotipet gjinore mbeten pengesa për të qenë kjo fushë të jetë e dominohet nga gjinia mashkullore.
“Në kuadër të hulumtimeve dhe punës në Kosovë, kam parë që gratë përballen me një sërë sfidash të veçanta për t’u futur dhe për të avancuar në këtë fushë. Stereotipet gjinore dhe paragjykimet kulturore mbeten pengesa të mëdha, duke e bërë teknologjinë, përfshirë sigurinë kibernetike, një fushë që ende konsiderohet e dominuar nga meshkujt”, tregon ekspertja e sigurisë kibernetike.
Sa i përket qasjes së grave në edukim dhe në teknologji, ajo thotë se gratë nuk kanë mundësi të ecin përpara në këtë sektor.
“Një sfidë tjetër është mungesa e mundësive të barabarta për edukim dhe trajnim në teknologji dhe siguri kibernetike, e sidomos ne zonat rurale. Gratë shpesh nuk kanë akses të mjaftueshëm në mundësi arsimimi dhe trajnimi të avancuar që mund të shërbejnë si një mundësi për t’u kualifikuar dhe për të ecur përpara në këtë sektor”, tha specialistja e sigurisë kibernetike.
Ndërkaq ajo tregon edhe vështirësitë të cilat ballafaqohen gratë nga ky sektor.
“Mungesa e mundësive të barabarta të trajnimit dhe edukimit kufizon potencialin e grave për të hyrë dhe për të kontribuar në sigurinë kibernetike, duke e lënë këtë fushë të hapur vetëm për një grup të caktuar. Një tjetër pengesë është mungesa e mbështetjes institucionale dhe politikave që nxisin përfshirjen e grave në këtë fushë. Për më tepër, balancimi i jetës profesionale dhe personale është një sfidë e vazhdueshme për shumë gra që kanë përgjegjësi familjare. Ky sektor kërkon orë të gjata dhe angazhim të përkushtuar. Kjo shpesh bën që shumë gra të heqin dorë nga mundësitë për t’u angazhuar plotësisht në këtë fushë, duke penguar përfshirjen e tyre të plotë. Kjo krijon një cikël ku përfaqësimi i ulët i grave në pozita kyçe bllokon mundësinë e krijimit të një kulture të barabartë dhe gjithëpërfshirëse, duke e bërë shumë të vështirë për gratë të arrijnë pozita udhëheqëse dhe të ndikojnë në politikat e sigurisë kibernetike”, tha Salihu nga Women4Cyber Kosovo
Cilat janë arritjet e grave në Kosovë që kontribuojnë në zhvillimin e sigurisë kibernetike?
“Pjesëmarrja në Iniciativa dhe Projekte të Sigurisë Kibernetike: Pjesëmarrja aktive në projekte ndërkombëtare dhe lokale që synojnë forcimin e infrastrukturës së sigurisë kibernetike. Rritja e Shkollimit dhe Kualifikimeve: Shumë profesioniste kanë arritur të diplomohen në fushat e teknologjisë dhe sigurisë kibernetike, duke kaluar trajnime të avancuara dhe certifikata që i bëjnë ato të kualifikuara për pozita të rëndësishme në industrinë e sigurisë kibernetike. Përkushtimi ndaj Edukimit dhe Shërbimeve të Sigurisë Digjitale për Publikun: Shumë profesioniste zhvillojnë dhe ofrojnë trajnime dhe kurse për edukimin e publikut mbi sigurinë kibernetike, duke rritur ndërgjegjësimin për rreziqet e mundshme të sigurisë dhe duke siguruar që individët dhe organizatat të jenë të pajisur me njohuritë e nevojshme për të mbrojtur të dhënat dhe informacionet e tyre personale”, tha specialistja e sigurisë kibernetike për portalin rtv21.tv. /21Media
Sulmet kibernetike në Kosovë gjatë këtij viti shënojnë rritje