Sulmet kibernetike në Kosovë gjatë këtij viti shënojnë rritje

Siguria Kibernetike është njëra nga shqetësimet e shekullit të 21 me të cilin po përballet edhe vendi jonë, i cili viteve të fundit ka qenë cak i sulmeve kibernetike.
Ndërkaq sipas profesorit në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës (FIEK) Blerim Rexha, Kosova ka shënuar një rritje të sulmeve kibernetike në krahasim me vitin e kaluar.
“Raportet e sakta nuk dihen, ende, sulmet kibernetike kanë shënuar një rritje në krahasim me vitin e kaluar. Shumë sulme kibernetike nuk raportohen tek organet apo edhe nuk bëhen publike”, tregon Rexha për portalin rtv21.tv
Tutje ai thotë se sulmet në infrastrukturën kritike tregojnë rëndësinë e infrastrukturës kritike në ekonominë e një vendi.
“Sulmet kibernetike, zakonisht shërbejnë si pararojë e sulmeve fizike, dhe sulmet në infrastrukturën kritike tregojnë edhe më shumë për rëndësinë që ka infrastruktura kritike në ekonominë e një vendi”, thekson Rexha.
Ndërkaq sa i përket zhvillimi të sektorit të sigurisë kibernetike, profesori i FIEK thotë se ky sektor duhet të ketë zhvillim më shumë në aspektin profesional dhe atë akademik.
“Në aspektin ligjor Kosova qëndron mirë, dhe ka kornizën ligjore të pajtueshme me BE-në. Ndërsa nga aspekti teknik, kemi ende shumë për të bërë. Duhet të zhvillohemi edhe më shumë, edhe nga aspekti akademik dhe profesional”, tregon Rexha.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në korrik të këtij viti në një intervistë për një media lokale për rreziqet nga sulmet kibernetike, kishte thënë se për shkak të sukseseve të Kosovës priten të shtohen edhe sulmet kibernetike nga armiq që nuk ja duan të mirën Kosovës.
“Kemi pasur sulme kibernetike. Sulmet kibernetike presim që do të shtohen pikërisht për shkak të suksesit tonë, sepse ka shumë armiq që nuk ju pëlqen suksesi ynë. Ta zëmë E-Kosova ka 155 shërbime; prandaj ky sukses i Kosovës sa është i mirë për neve në të njëjtën e kohë duhet të na bëjë vigjilentë ndaj rreziqeve që na shkaktojnë ata të cilët nuk ia duan të mirën vendit tonë”, kishte thënë Kurti.
Kujtojmë se Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në hapjen e Qendrës Shtetërore trajnuese për Siguri Kibernetike, theksoi se sulmet kibernetike janë çdo herë më të shpeshta dhe synimi është që përmes kësaj Qendre të trajnohen institucionet e sigurisë që t’i bëjnë ballë çdo sulmi të natyrës kibernetike.
“Qendra Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike do të ofrojë trajnime me qëllim të ngritjes së ndërgjegjësimit për rreziqet në fushën e sigurisë kibernetike, të përmirësojë aftësitë profesionale dhe të ndihmojë në ngritjen e niveleve të sigurisë kibernetike të institucioneve qeveritare, operatorëve të shërbimeve esenciale dhe ofruesve të shërbimeve digjitale për të arritur kapacitetet për mbrojtjen e infrastrukturës kritike në vend”, theksoi ministri i Ministrisë së Mbrojtjes Ejup Maqedonci.
Portali rtv21.tv ka provuar të marrë një përgjigje nga Qeveria e Republikës së Kosovës në lidhje me shtetet të cilat janë duke e sulmuar Kosovën me sulme kibernetike, ndërsa deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrur një përgjigje. /21Media