Lista Serbe pjesë e garës zgjedhore, KQZ merr vendim pa votim
Në mes tensioneve e debateve të anëtarëve pozitë-opozitë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar sot vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për certifikimin e subjektit politik SRPSKA LISTA dhe kandidatëve të këtij subjekti politik, por pa e hedhur në votim.
Gjykata Supreme e Kosovës sot ka dalë me aktvendim duke e hedhur poshtë si të palejuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje që e paraqiti kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me certifikimin e Listës Srpska për zgjedhjet parlamentare.
Në mbledhjen e KQZ-së u mor vendim që Lista Serbe dhe kandidatët e saj do të përfshihen në garën zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të datës 9 shkurt 2025.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se vendimi i PZAP-së e ka detyruar këtë institucion ta certifikojë këtë subjekt politik.
“Konstatoj se vendimi i PZAP-së sipas nenit 118, paragrafit 5 është i detyrueshëm për ne dhe për këtë do ta lëshoj një vendim për zbatimin e vendimit…Ne e kemi shqyrtuar, për të votuar nuk kemi çfarë të votojmë. Vendimi i PZAP-së na ka obliguar që ta certifikojmë…Kjo është çështje e mbyllur. Sipas ligjit jemi të obliguar ta zbatojmë vendimin e PZAP-së dhe me këtë ka marrë fund kjo çështje”, tha Radoniqi.
Kundër këtij vendimi ka reaguar anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi duke thënë se ky është cenim i pavarësisë së institucionit. Sipas tij, miratimi i këtij vendim pa u hedhur në votim është sulm.
“Ky është cenim i pavarësisë së institucionit…Ky është ataku mbi institucionet mbi listën serbe. Ata është, ky është ataku, Ky është sulmi që neve na bëhet. Sulmohet duke e pamundësuar shprehjen e vullnetit e secilit anëtarë për të votuar”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se gjithmonë do të votojë kundër Listës Serbe.
“Unë çdoherë do të votoj kundër këtij subjekti pas atyre veprimeve që i kemi parë për muaj dhe vite të tëra. Ata le të urdhërojnë, këtu jam. Votë nuk merr për tu futur më në garë lista serbe jo veç prej arsyeve që kanë kontekstin shqiptar, por edhe në kontekstin e asaj se çfarë ka bërë duke përndjekur dhe shantazhuar edhe komunitetin serb”, u shpreh Krasniqi.
Edhe anëtari tjetër i KQZ-së nga LVV, Sami Kurteshi u shpreh se ekzistojnë shumë dëshmoi dhe fakte se Lista Serbe nuk e meriton të certifikohet.
“Unë i kam parë të dy vendimet, janë si janë. Të dy vendimet janë jo të plota për arsye se nuk janë marrë parasysh të gjitha faktet dhe dëshmitë e dokumentet që kërkohen për certifikimin. Ndër dokumentet kryesore është deklaratë politike dhe kodi i mirësjelljes…E ka fjalën kryesisht te dhuna që ushtrohet, që është ushtruar, që është iniciuar, është motivuar, nxitur nga ky subjekt politik. Ne nuk kemi prekur elemente tjera. Tash po e preku KQZ-në. Zyrtarët komunal janë detyruar për shkak të urdhrit të këtij subjekti politik të japin dorëheqje… Unë mendoj që ka shumë dëshmi, shumë elemente për të cilat unë mendoj se ky subjekt politik nuk meriton të certifikohet”, tha Kurteshi.
Ndërkaq, anëtari tjetër i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, Ilir Gashi tha se institucionet e Republikës së Kosovës nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për të provuar jo ligjshmërinë e këtij subjekti politik.
Sipas tij, institucionet si Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë apo Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), nuk kanë paraqitur të dhëna për kandidatët e këtij subjekti politik.
“Më befason fakti që nga vendimi i parë që ne kemi marrë, deri më sot organet kompetente të Republikës së Kosovës, duke filluar nga Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë por pse jo edhe të Agjencionit Kosovar të Inteligjencës, askush nuk ka provuar të na ofrojë dokumente mbi të cilat ne do të kishim mundur me vendos mbi ligjshmërinë ose jo ligjshmërinë e këtyre njerëzve të cilët ne mund të themi politikisht që janë përfshirë në veprime jo të ligjshme. Por, institucionet e Republikës së Kosovës fatkeqësisht nuk kanë marrë ndonjë hap të provuar jo ligjshmërinë e kësaj liste dhe të këtyre njerëzve të përfshirë në këtë listë…Unë kam prit që nga periudha e vendimit të parë, institucionet e Republikës së Kosovës të na ofrojnë dëshmi mbi akuzat që kemi bërë për ta. Dëshmi, fakte që personat që janë të përfshirë në këtë listë, janë të paligjshëm dhe ne pastaj të marrim vendimet tona meritore mbi paligjshmërinë e tyre”, tha Gashi.
Më 25 dhjetor 2024, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka anuluar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe e ka urdhëruar atë që ta certifikojë partinë politike, Lista Serbe, për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit