Qytetarët ende po përballen me çmime të larta të barnave

Kanë mbetur më pak se një muaj nga hyrja në fuqi e ligjit për unifikimin e barnave, mirëpo qytetarët ende janë duke u përballur me çmimet e larta të barnave. Ata flasin për vështirësitë që po hasin me këto çmime.

“Për momentin shumë të nalta edhe efektin shumë të dobët. Cmimi është i padiskutueshëm. E tepert është. Shkon në një barnatore cmimi është 4.60, a në tjetrën 3 euro. Presim zbatimin po është mirë me kqyrë edhe përmbatjen e barnave. Nuk jom shumë e kënaqur. Nuk po kanë efekt”, tha për rtv21 Ryve Hasanrama – qytetare

Përveç kësaj problem i kamotshëm është edhe dallimi në çmime për barin e njëjtë, gjë për të cilën qytetarët ngarendin nga barnatorja në barnatore.

“Janë kogja të nalta, po ma së shumti po më pengon që i njejti bar në dy-tri barnatore ka çmime të ndryshme. Unë sa e di u aprovu ligji për unifikim të çmimeve të barnave, mirëpo prapë ende su hy në fuqi. Sidomos për ne pensionistët, pensioni është sa është, barnat kemi nevojë për to. E normalisht që po e vështirësojnë jetën e qytetarit”.

“Në asnjë barnatore nuk janë çmimet e njëjta gjithmonë për 20 apo 30% ndryshon. Kërkun në botë nuk ka, unë nuk e di çka po bajnë. Super të nalta, unë per veti mjekohem, diku kah 150 euro marrë barna mujore”.

“Ndryshime ka dhe kogja shumë ka dallim prej një barnatore në tjetrën. Për çmimet e ngrituna s’kom çka thom, janë krejt jo veç te barnat po në çdo sektor, tek marketet e të gjitha…”, tha Bujar Krasniqi – qytetar.

Më 1 shkurt, ligji për unifikimin e barnave pritet të hyj në fuqi, mirëpo Oda e Farmacistëve të Kosovës shprehë skepticizëm për zbatimin e tij.

“Çmimet e barnave janë më të larta se në shtetet e rajonit dhe kërkojmë unifikimin e çmimeve të barnave në të gjitha barnatoret. Por jo me aq shumë dallime, me të shtrenjta apo më të lira se shtetet e rajonit. Sepse përsëri stimulohet tregu ilegal dhe vështirë i zbatueshëm. Me kënaqësi e presim zbatimin e këtij ligji, mirëpo duhet i pamundur implementimi i tij. Çmimet nuk janë në përputhje me shtetet referente ashtu siç kërkohet”, tha për rtv21 Astrit Haxhijaha nga Oda e Farmacistëve të Kosovës.

Edhe Shoqata e të Drejtave të Pacientëve shprehë pakënaqësi për ligjin për unifikimin e çmimit të barnave qysh nga fillimi i hartimit të tij./RTV21/21Media

Back to top button