Hoxhaj thotë se ka plan konkret për rikthimin e njohjeve ndërkombëtare

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj në një video të publikuar, ka theksuar rëndësinë jetike të njohjeve ndërkombëtare për Kosovën.

Ai ka kritikuar qeverisjen aktuale të Albin Kurtit, duke vënë në pah se gjatë katër viteve të fundit nuk është arritur asnjë njohje e re.

“Jam shumë krenar që gjatë dy mandateve të mia si ministër i Punëve të Jashtme, Kosova është njohur nga një numër i madh i vendeve në gjeografi globale. Unë e kam marr Ministrinë e Punëve të Jashtme me 75 njohje dhe e kam lënë me 117. Gjatë katër viteve të qeverisjes së Albin Kurtit, nuk ka asnjë njohje të vetme”, tha Hoxhaj.

Ai deklaroi se PDK ka hartuar një plan të detajuar, i cili përfshin identifikimin e vendeve potenciale në Afrikë, Azi dhe Amerikë Latine që mund ta njohin Kosovën.

“Nën udhëheqjen e Partisë Demokratike të Kosovës, ne kemi një plan të qartë, një mendim të plotë dhe një analizë të detajshme se cilat vende në Afrikë, Azi, në Amerikë Latine janë në gjendje që ta njohin Kosovën. Nga java e parë, nga muaji i parë dhe nga viti i parë, ne do të sjellim njohje konkrete për Republikën e Kosovës,” shtoi ai.

Hoxhaj paralajmëroi gjithashtu një video të veçantë ku do të diskutojë planin për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Back to top button