Plisin në hijen e harresës!

Çarshia e gjatë, apo siç njihet ndryshe zemra e Pejës, është burimi i traditave të këtij qyteti.
Në mesin e shumë dyqaneve të zejtarëve ndodhet edhe dyqani i Afrim Latës, qeleshepunuesit të vetëm në Pejë.
Profesionin e trashëguar nga i ati, ai e punon për gjysmëshekulli.
“Zejen e ushtroj që 50 vite, kom fillu në moshe te re diku 15 vjeçare, edhe baba e ka ushtru ketë zeje mandej kem vazhdu pas vdekjes së babes, mandej edhe fëmijët tanë kanë vazhdu diku është gjenerata e tretë që e trashëgojmë.’, rrëfeu Lata.
Derisa dikur plisi na identifikonte dhe rralle mund të takoje një të moshuar dhe jo vetëm , pa të, sot të pakta janë raste kur shohim burra duke e bartuar plisin e bardhë.
“Shumë pak se ata gjenerata e vjeter qe i kane mbajtë çdo ditë po vdesin, por besoj qe kapak këto festat kombëtare, kapak ka diaspora po shumë pak.”, Lata.
Përkundër faktit që këto zeje prezantojnë një pjesë shumë të rëndësishme të trashëgimisë tonë, ato sikur janë lënë në harrese. Te paktën kështu thotë plispunuesi Afrim Lata, i cili pohon se zanatin që ai e ushtron për gjysmë shekulli nuk e kanë marrë asnjëri nga djemtë e tij. Sipas tij te njëjtin fat kanë edhe zejet e tjera.
“ Njo 10-12 zeje nuk ka shume po këto duhet me u ndërmarr që mos me ardh deri te zhdukja se të rinjtë nuk janë të interesum me i vazhdu se s’ka perspektivë, po nisna prej djemve te mi, nuk ka perspektive merren me punë të tjera se s’ka, prej kësaj s’mundesh me mbijetu.”, tha Lata.
Arsyja e vetme që e mban këtë dyqan gjallë, nuk qëndron te fitimi, por te vazhdimi i traditës.
“Jemi mbet qe për hir të profesionit, kësaj zeje edhe pa kurrëfar llogarie e mbaj zejen për hir të simbolit tone i njohur i plisit”, tha ai.
Plisi, si simbol përfaqësues i shqiptarëve u përcoll brez pas brezi duke jetuar për mbi 50 vite në këtë dyqan.
Ky dyqan është një dëshmi e vlerës dhe rëndësisë së ruajtjes së traditave artizanale, të cilat, edhe pse kanë një rëndësi të madhe kulturore, janë të rrezikuara nga harresa dhe mungesa e mbështetjes institucionale. Kjo histori është një thirrje për të mbështetur dhe vlerësuar zejet tradicionale, përndryshe ato mund të zhduken përgjithmonë./RTV21/21Media