Tri viktima nga aksidenti në Skenderaj, pesë të lënduar – katër prej tyre policë

(Lajm i përditësuar)
Policia e Kosovës ka lëshuar komunikatë për aksidentin në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë.
Në komunikatë në Facebook, thuhet se aksidenti ndodhi ndërmjet dy veturave, njëra nga to e policisë. Tre persona civil mbeten të vdekur, katër policë të lënduar.
“Sonte rreth orës 18:40, është raportuar për aksident trafiku me pasoja fatale, i cili ka ndodhur në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, segmenti rrugor në fshatin Çubrel të Skenderajt. Në këtë aksident janë përfshira dy vetura, njëra prej tyre veturë zyrtare e policisë. Si pasojë e aksidentit, bazuar në informacionet e siguruara kanë humbur jetën tre persona civil, përderisa lëndime kanë pësuar edhe pesë persona tjerë, katër prej tyre zyrtarë policor. Njësitë policore dhe stafi menaxhues kanë dalur në vendin e ngjarjes, ndërsa për hetimet dhe shkaqet e aksidentit po merren hetuesit e njësitit rajonal të trafikut rrugor. Lidhur me rastin janë njoftuar institucionet kompetente, IPK-ja dhe Prokurori kompetent të cilët pritet të dalin në vendin e ngjarjes”, thuhet në komunikatë. /21Media
Tre të vdekur në një aksident në rrugën Mitrovicë-Pejë, Nura jep detaje
Fadil Nura, kryetar i komunës së Skenderajt, njofton për një aksident me tri viktima të ndodhur në rrugën magjistrale Mitrovicë – Pejë, përkatësisht në fshatin Çubrel.
Nura informon se numri i viktimave është konfirmuar nga Policia e Kosovës.
“Thellësisht i prekur nga ky aksident ku u shuan tri jetë. Zoti ua lehtësoftë dhimbjen familjeve!’, shkruan ai.
Lidhur me rastin, portali rtv21.tv ka kontaktuar Policinë e Kosovës, por deri në publikimin e lajmit, nuk ka mundur të marrë një përgjigje.
Aksident i rëndë në magjistralen Mitrovicë-Pejë: Vdes një person dhe lëndohen disa të tjerë
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Skenderajt, Fadil Nuria, i cili tha se aksidenti ndodhi në fshatin Çubrel, ku një nga të lënduarit po lufton për jetën.
“Sapo u njoftuam për një aksident me fatalitet të ndodhur në rrugën magjistrale Mitrovicë – Pejë, përkatësisht në fshatin Çubrel, ku për pasojë ka vdekur një person dhe janë lënduar disa të tjerë, një nga të cilët po lufton për jetën, ndërsa lutemi për të dhe për të aksidentuarit tjerë”, tha Nura.Më tej, ai tha u shprehu ngushëllime familjes së personit që vdiq në këtë aksident, teksa u uroi shërim të lënduarve.