Konfirmohet fajësia për vrasësit e Enver Hadrit

Juria e Gjykatës së Apelit në Belgjikë ka konfirmuar të martën në mbrëmje fajësinë për vrasësit e aktivistit shqiptar Enver Hadri.
Pas gati tri javë shqyrtimi gjyqësor, që është zhvilluar pasi dy nga tre të akuzuarit dhe të dënuarit kanë deponuar ankesë në vendimin paraprak gjyqësor. Bozhidar Spasiq, ish-zyrtar i shërbimeve sekrete serbe, si dhe Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq, në vitin 2016 janë shpallur fajtorë për vrasjen e Enver Hadrit, shkruan Rtklive.
Atyre iu është shqiptuar dënimi i përjetshëm. Vetëm dy nga tre të dënuarit: Spasiq dhe Drashkoviq kanë deponuar ankesë. Të tre janë dënuar në mungesë sikur në vitin 2016, ndërsa edhe rigjykimi është mbajtur pa prezencën e tyre, meqë të tre janë në Serbi.
Shteti serb refuzon ekstradimin e tyre. Kur u aktualizua çështja e rinisjes së gjykimit, Bozhidar Spasiq madje u paraqit në disa mediume serbe.
Aktivisti kosovar Enver Hadri u vra në mes të ditës në Bruksel, më 25 shkurt të vitit 1990, derisa ishte në timon të makinës së ndalur para semaforit të kuq.
Edhe gjykata belge ka konstatuar se vrasja e tij ishte porositur nga shërbimi sekret jugosllav, ndërsa është ekzekutuar nga kriminelët me ndihmë logjistike nga Beogradi. Gjatë rigjykimit që nisi më 9 janar, janë dëgjuar edhe një numër dëshmitarësh, si përfaqësues të emigratës kosovare ashtu edhe ekspertë ndërkombëtarë, të cilët kanë elaboruar kontekstin gjeopolitik dhe mënyrën se si kanë funksionuar shërbimet sekrete gjatë të 90-ave.
Juria 12 anëtarëshe të martën në mbrëmje konfirmoi vetëm fajësinë, ndërsa të mërkurën pritet që të vendoset edhe për kohëzgjatjen e dënimit. Familja Hadri shpreson se dënimi do të jetë i njëjtë sikur ai i vitit 2016, kur tre të akuzuarit u dënuan me burgim të përjetshëm.
Ditw më parë Xhavit Haliti nga PDK-ja, bëri të ditur se në Gjykatën e Apelit në Bruksel ka dhënë dëshmi lidhur me vrasjen e veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Enver Hadri.
Sipas Halitit, bazuar në pyetjet dhe dëshminë e dhënë, “besoj se Bozhidar Spasiq, Vesel Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq do të rimarrin dënimin me burgim të përjetshëm”./kp