Kosova e “dërrmuar” nga sanksionet e BE-së

Ndonëse 8 muaj me parë ish-përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell rekomandoi heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, ato vazhdojnë të jenë në fuqi me gjithë zgjedhjen e strukturave të reja në BE.
Në pyetjet drejtuar nga rtv21 se kur do të vendosin vendet anëtare për heqjen e masave dhe çfarë është duke ndodhur në këtë drejtim, zyrtarë të Bashkimi Evropian nuk dhanë ndonjë përgjigje.
Në qershor të këtij viti bëhen dy vjet që nga vendosja e masave të BE-së ndaj Kosovës dhe tani vendi u dëmtua për gati gjysmë miliard euro.
Në Asociacionin e Komunave të Kosovës thonë se nga masat u dëmtuan pothuajse të gjitha komunat.
“Te gjitha komunat pothuajse janë të prekura nga masat janë qindra miliona euro të cilat janë investuar në komuna në Prishtine. Ferizaj Prizren dhe pothuajse të gjitha, disa më pak disa më shumë. Në Prishtinë kemi impiantin për ujërat e zeza… Trajtimin e ujërave të zeza, menaxhimin e mbeturinave arsim shëndetësi etj…”, tha për RTV21 Sazan Ibrahimi, drejtor i Asociacionit të komunave të Kosovës.
Ekonomistët ndërkaq paralajmërojnë thellim të dëmit në rast se këto masa do të vazhdojnë të jenë në fuqi. Sipas Medain Hashanit, pasojat nga këto masa janë të mëdha.
“Janë si një rezultat i një keqqeverisje. Kemi mjaft projekte që kane stagnuar për shkak se masave janë projekte qe kane pasur ndikim në rritjen ekonomik ne zhvillimin ekonomik të vendit dhe janë stagnuar dhe kjo reflektohet në aspektin buxhetor te Kosovës. Ka ndikuar në zvogëlimin e kapacitetit ekonomik. Qeveria ardhshme prioritetin e parë që do ta ketë është në stabilizimin e marrëdhënieve bilaterale….”, tha Hashani.
Në dhjetor të viti të kaluar në konkluzionet e miratuara, BE-ja ka thënë se gradualisht do t’i heqë masat ndëshkuese paralelisht me hapat e mëtejshëm të Kosovës për të de-përshkallëzuar tensionet në veri. Por Qeveria e Kosovës, ka thënë se vendi ka përmbushur të gjitha kërkesat për sh‘tensionimin e gjendjes në veri duke kërkuar që ato të hiqen sa më parë./RTV21.21Media