Kosovarët arrijnë kuotën për viza gjermane për vitin 2025

Agjencia e Punësimit në Gjermani ka njoftuar në uebfaqen zyrtare se numri i aplikimeve për punëtorët e pakualifikuar nga Kosova për vitin 2025 është mbushur dhe se aplikimet e radhës do të pranohen për vitin 2026. Kjo gjë sipas Odës Ekonomike të Kosovës kjo gjë është shqetësuese dhe është sinjal i kushteve dhe mirëqenies së qytetarëve në vend.
Ani pse sipas kryeministrit tashmë në detyrë Albin Kurtit dhe ministres së tij Donika Gërvalla, Kosova po lulëzon e Gjermania është në recension ekonomik, kosovarët në më pak se një muaj kanë plotësuar kontingjentin vjetor të terminëve për viza pune në Gjermani.
Krahasimet mes Kosovës dhe Gjermanisë nuk kanë vend, deklaron kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna. Sipas Rafunës, mbushja e numrit për viza pune për vitin 2025 është sinjal i ekonomisë së dobët në Kosovë.
“Si ekonomi me Gjermaninë na nuk kemi krahasime, komplet Gjermania është tjetër model, Kosova është tjetër model. Gjermania është model edhe për prodhim edhe për eksport. Mbushja e numrit për këtë vit në ambasadën e Gjermanisë është sinjal se sa dobët qëndrojmë brenda vendit tonë në kuptimin e kushteve. Kjo është që vlera e parasë në Kosovë ka humbë dhe pagat nuk kanë lëvizë. Ne kemi thanë shumë herë që pagat të lëvizin më shumë sepse nuk është në koherencë me kushtet që jetojnë kosovarët…”, tha Rafuna.
Ndërsa, qytetarët kanë mendime të ndryshme për këtë çështje. Disa prej tyre thonë se nuk ka perspektivë për të rinjtë në Kosovë, e të tjerë fajin ua lënë atyre për mosinteresim për tu zhvilluar në tregun e punës.
Programi i qeverisë gjermane për punëtorët e pakualifikuar nga Ballkani Perëndimor parasheh pranimin e 50,000 aplikimeve çdo vit nga ky rajon, me secilin vend me një kuotë të caktuar.
Për vitin 2025 kjo kuotë është përmbushur nga Kosova për rreth një muaj, në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Aplikimet janë duke u përpunuar që nga 9 korriku i 2024-ës./RTV21/21Media