Mospagesat nga Plani i Rritjes, Qeveria: Nuk bëhet fjalë për pasoja apo efekte negative

Ndonëse në fund të vitit të kaluar ishte paraparë ndarja e mjeteve të para nga Plani i Rritjes së BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor përfshirë edhe Kosovën kjo nuk u bë as në fillim të këtij viti.

Komisioni Evropian nuk bëri të ditur se çfarë po ndodh në këtë drejtim dhe se kur do të bëhen pagesat e para, por qeveria në detyrë e Kosovës tha për RTV21se nuk bëhet fjalë për pasoja apo efekte negative.

Sipas këshilltarit të zëvendëskryeministrit në detyrë, Klisman Kadiu, me miratimin e Marrëveshjes për Instrumentin e Planit të Rritjes dhe Marrëveshjes për Hua posa të konstatohet legjislatura e re e Kuvendit do të hapet rruga për lëshimin e fondeve nga Bashkimi Evropian.

“Kosova ka miratuar në qeveri vitin e kaluar Agjendën e Reformave gjersa përmes këtij instrumenti vendi ynë do të mund të përfitojë deri në 882.6 milionë euro, në formën e huave dhe granteve, për periudhën 2024-2027. Si hap vijues është ratifikimi në Kuvend i Marrëveshjes për Instrumentin e Planit të Rritjes dhe Marrëveshja për Hua. Me konstituimin e legjislaturës së re, hapet rruga për votimin e miratimin e të njëjtave. Pas këtij miratimi, hapet rruga për lëshimin e fondeve nga Bashkimi Evropian. Nuk bëhet fjalë për pasoja apo efekte negative. Vlen të theksohet se fondet ende nuk janë lëshuar nga BE për asnjë shtet në rajon”, tha Kadiu për RTV21./21Media

Back to top button