​O’Connor: Pabarazia gjinore kërcënon jetën dhe mirëqenien e grave

“Çdo grua meriton të jetojë pa frikë” u tha në konferencën përmbyllëse “Barazia e brezave -Bashkimi kundër dhunës me bazë gjinore”. Veç tjerash, u theksua se një nga tri gra globalisht përjeton dhunën fizike ose seksuale gjatë tërë jetës së tyre. Kjo konferencë përmbyllëse u organizua në kuadër të aktiviteteve për Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Zëvendësambasadori i Britanisë në Kosovë, Paul O’Connor tha se pabarazia gjinore “kërcënon jetën dhe mirëqenien e grave”.

“Pabarazia gjinore kërcënon jetën dhe mirëqenien e grave dhe i pengon atyre qasjen në mundësi thelbësore. Një nga tri gra globalisht përjetojnë dhunën fizike ose seksuale gjatë jetës së tyre. Dhuna fillon në moshë të re, globalisht martohen një në pesë të mitura. Dhuna është më e keqja në mesin e atyre që janë të vështirë për t’u arritur, gratë me aftësi të kufizuara kanë gjasa të përjetojnë dhunë katër herë më shumë se gratë e tjera. Rritja e konfliktit bën që 70 për qind e grave në konflikt të përjetojnë dhunën me bazë gjinore. 85% e grave përjetojnë dhunën online. Këto statistika tregojnë se sa shumë punë kemi për të bërë. Jam shumë krenar që Mbretëria e Bashkuar është aktive në skenën globale për kërkimin e fundit të dhunës me bazë gjinore. Kjo përfshin përkrahjen tonë në programin global të Kombeve të Bashkuara për të përfunduar martesën e të miturve, organizata dhe angazhimi ynë i vazhdueshëm për të parandaluar dhunën seksuale gjatë konfliktit dhe anëtarësia jonë aktive te Partneriteti Global për Veprim në dhunën me bazë gjinore online”, deklaroi ai.

Drejtoresha e “The Foundation House”, Abetare Gojani foli për projektin e adresimit të ndikimeve të dhunës me bazë gjinore në Kosovë. Ajo theksoi se kanë punuar me të rinj nga komuna të ndryshme, duke trajtuar realitetin e dhunës me bazë gjinore.

“Lufta për barazi, dinjitet dhe drejtësi nuk ka përfunduar. Çdo grua meriton të jetojë pa frikë, çdo vajzë meriton të rritet duke ditur se zëri i saj ka rëndësi. Dhe çdo e mbijetuar e dhunës meriton të besohet, të mbështetet dhe të fuqizohet. Gjatë muajve të fundit përmes projektit ‘Adresimi i ndikimeve të dhunës në bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimit të të mbijetuarve për të kapërcyer stigmën për të folur hapur’ kemi punuar intensivisht për të thyer heshtjen e viktimave që përjetojnë dhunë me bazë gjinore”, deklaroi ajo.

Edhe shefja e Zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Tuzi Nushi tha se numri i rasteve të dhunës me bazë gjinore vazhdon të jetë i lartë.

“Fatkeqësisht ende, numri më i lartë qëndron tek moshat e reja, tek rastet e dhunës në familje dhe kjo është shumë brengosëse, ndaj jam e lumtur që jemi bashkë këtu sot që të vazhdojmë këtë punë që po e bëjmë për ta luftuar dhunën. Me mbështetjen e Ambasadës Britanike, kemi ndihmuar në zhvillimin e gjashtë dorëzimeve administrative që rrjedhin nga ligji i ri, kundër dhunës në familje që është në harmoni me Konventën e Stambollit. Ne si UN Women do të lansojmë fushatën globale, për të gjitha gratë dhe vajzat, të drejta, barazi dhe fuqizim, duke kërkuar veprime konkrete për të garantuar të drejta të barabarta në fuqi, mundësi për të gjithë, pa lënë askënd mbrapa”, u shpreh ajo.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, të siguruara nga KosovaPress, gjatë vitit të kaluar janë raportuar mbi 2300 raste të dhunës ndaj grave.

Back to top button