Pas zgjedhjeve, zgjidhje apo krizë?

Kryeministri Albin Kurti, i pyetur rreth një koalicioni të mundshëm për formimin e Qeverisë së re, tha se po presin certifikimin e rezultateve. Përderisa, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se se qeverinë duhet ta formojë opozita duke përjashtuar çdo mundësi të bashkëpunimit me Vetëvendosjen. Njohës të fushës vlerësojnë se kjo qasje mund ta shpie Kosovën në një ngërç politik.

Përmbyllja e numërimit të fletëvotimeve nga zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit pason me certifikimin të rezultateve edhe rrjedhimisht edhe formimin e institucioneve të reja. Mes opsioneve për formimin e Qeverisë së re apo shfaqjes së krizës eventuale paszgjedhore, Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se po presin certifikimin e rezultateve për të vazhduar tutje.

“…Njiher certifikimi i rezultateve…”

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nga ana e tij konsideron se qeverinë duhet ta formojë opozita, ndërsa përjashton çdo mundësi të bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Besoj që veç shihet se shumicën e ka opozita, kuptohet pas afateve kushtetuese opozita mund ta krijojë qeverinë. Besoj kjo është ajo që na takon neve si opozitarë, që të bashkohemi dhe të krijojmë qeverinë nga opozita. Ka komunikim të ndërsjellë [me opozitën], nuk ka ndonjë avancim konkret për shkak se janë edhe afatet kushtetuese por besoj ka gatishmëri që të ecim. Ne jemi në opozitë dhe si opozitarë angazhohemi me i dhënë Kosovës qeverinë e shumicës së opozitës. Ky është qëndrimi dhe i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, tha ai.

Qëndrimet e deritashme të liderëve politikë për institucionet e reja, analistja Magbule Shkodra, i sheh si mundësi për një ngërç politik.

“Nëse të gjithë liderët partiak dëshirojnë të bëhen të arsyeshëm mund të kemi një zgjidhje, por nëse vazhdojmë me barrikadime, mund ta na çojnë në ngërç politik, e shpresoj që të mos na sjellin zgjedhje të reja. Edhe pse certifikimi ska ndodhur e kemi një llojë konfirmimi që LVV i ka 48 mandate. Përgjegjësit të cilat e presin Kosovën menjëherë pas formimit të qeverisë, do të ishte më mirë të kemi një qeveri gjithëpërfshirëse.
Është shumë e rëndësishme mos të kemi një ngërç politik, është mirë që të tregohemi konstruktiv. Serbia ka ende protesta, e kjo do të ishte një kohë e mirë për ne të shikojmë marrëdhëniet me BE-në me SHBA-në. Ky është një moment që mund ta shfrytëzojmë”, tha Shkodra për rtv21.

Sipas rezultateve paraprake të publikuara në platformën elektronike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, ka marrë 42.27 për qind. PDK-ja është renditur e dyta 20.96 për qind. LDK-ja e treta me 18.28 për qind, derisa Koalicioni AAK-Nisma ka marrë 7.07 për qind./RTV21/21Media

Back to top button