Osmani publikoi foto me gratë e AKI-së, Ramadani: Kreu i shtetit bëri shkelje serioze

Njohësi i çështjeve politike dhe ish-kryesinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka reaguar pasi Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka publikuar një fotografi me gratë që punojnë në AKI, ndonëse fytyrat e këtyre grave nuk kanë qenë të ekspozuara në këtë imazh.
Ramadani përmes një postimi në Facebook ka thënë se kjo është shkelje serioze nga e para e shtetit.
“E paprecedent, si asnjëherë më parë! Ekspozimi i punonjësve të AKI (qoftë pjesë të caktuara identifikuese) përbën shkelje serioze ligjore!Rrëzimi i investimit shumëvjeçar në mos-ekspozim të stafit rrezikon sigurinë e punonjëseve dhe sigurinë kombëtare!Kur kjo vjen nga kreu i shtetit, po flasim për një shkelje mëse serioze!”, ka shkruar Ramadani në Facebook.
Presidentja Vjosa Osmani sot me rastin e 8 Marsit – Ditës së Gruas ka vizituar AKI-në.
Osmani ka shkruar se vendimet strategjike të Republikës së Kosovës varen shpesh nga puna e padukshme, por fundamentale e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI)./21Media