Pushteti i cilëson si tendenca të dështuara takimet e opozitës për formimin e Qeverisë

Shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, ka vënë në lëvizje partitë politike, sidomos ato në opozitë, për formimit të Qeverisë së re. Së fundmi u raportua për një takim ndërmjet dy kandidatëve për kryeministër, Bedri Hamzës së PDK- së dhe Lumir Abdixhikut të LDK-së, derisa para disa ditësh ishte zhvilluar takimi mes kryetarit të PDK-së Memli Krasniqi dhe atij të Nismës Socialdemokrate, Famir Limaj.
E këto takime të opozitës, sipas përfaqësuesve të partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje, janë një tendencë e dështuar për të marrë pushtetin.
Deputeti i zgjedhur, Haxhi Avdyli nga radhët e Partisë Guxo pjesë e koalicionit me Vetëvendosjen, tha për RTV21 se takimet si ai Hamza- Abdixhikut janë të panevojshme pasi që mandati për formimin e Qeverisë i takon Vetëvendosjes.
“Tendenca e Bedri Hamzës dhe Lumir Abdixhiku do të dështoj sepse qytetari iu ka dhënë verdiktin atyre, sepse ata bashkërisht të bashkuar s’mund të mbërrijnë 37 % ndërsa vetëm ne vet jemi 42% dh në këtë drejtim ne do të gjëme partnerë deputetë të caktuar. Këto takime janë parakohshme të dështuara, janë të panevojshme sepse edhe kushtetua e parasheh si janë procerdurat. Këta mund të takohen të pinë kafe edhe tash por mund të takohen dhe pinë kafe edhe pas formimit të qeverisë Kurti 3 sepse ata ishin janë dhe do të vazhdojnë të jenë bashkë, PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja. .. por qeveria Kurti do të vazhdojë me punët e saj këtu s’ka dilemë.”, tha Avdyli për rtv21
Avdyli u shpreh i bindur se Vetëvendosje do ta formojë qeverinë e re duke shtuar se përveç pakicave jo serbe më të cilat kanë kontaktuar, Vetëvendosjes mund t’i bashkohen edhe deputetë nga PDK-ja LDK-ja AAK-Nisma por nuk përmendi emra.
“Pakicat joserbe janë të vetëdijshëm dhe të vendosur të vazhdojnë një bashkëpunim me partinë fituese. Akoma se kemi mbërri numrin 61 dhe besoj se në këtë rast do të kërkohet një mundësi për vazhdimin e qeverisë Kurti 3 dhe besoj për këtë në momente të duhura do të merrni info të duhur. Për momentin në Kuvend janë VV-PDK-LDK-AAK-NSIMA por ka edhe deputetë të cilët nuk mendojnë njëjte siç mendojnë krerët e partive të të tyre”., shtoi ai.
Kryetarja e Unioni Socialdemokrate, deputetja e zgjedhur nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, ndërkaq tha se ende nuk kanë vendosur se cilën qeveri do ta mbështesin. Ajo shtoi se kushti për të qenë pjesë e një qeverie, është formimin i Komunës boshnjake.
“Nuk kemi vendosur ende brenda partisë s’kam pas asnjë takim me Vetëvendosjen , as me parti të tjera, duhet me u taku duhet me shiku me partine dhe me marrë një vendim, s’kemi qëndrim ende. ..Është çështje nacionale e bonasjkëve dhe tani ka ardhur koha të realizohet. S’ka lidhje me asgjë është kërkesë tash 20 vite edhe është në ligj unë jam vetëm duke kërkuara të respektohet ligji secili kryeministër që ka me qenë. Unë se di kush ka me qenë kryeministër për neve komunitetin kush do që e bën qeverinë është në rregull por kushti është i njëjtë”, tha Balje për RTV21
RTV21 kontaktoi edhe me deputetin e zgjedhur, Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane por ai tha se ende s’kanë një qëndrim sa i përket bashkëpunimit me partitë politike rreth formimit të Qeverisë.
Shpallja e rezultateve përfundimtare konfirmoi se asnjëra nga partitë politike nuk mund ta formojë qeverinë vetëm.
Për politologun Argjend Zejnaj, mundësia më reale e formimit të Qeverisë është nga Vetëvendosje, ndonëse me numër minimal.
Sipas rezultateve përfundimtare Vetëvendosje do të ketë në Kuvend 48 deputetë, PDK-ja, 24, LDK-ja 20 dhe AAK-Nisma 8./RTV21/21Media