Keqpërdorimet në KMDK, Velija thotë se do të bashkëpunojnë me institucionet për hetimin e çështjes

Ish-kryeshefi i Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), ish-drejtori, ish- menaxheri dhe pesë zyrtarë të tjerë të cilët deri më sot kanë punuar në këtë kompani dhe janë pezulluar nga puna, po akuzohen për nënshkrimin e një kontrate në vitin 2021 për mirëmbajtjen dhe riparimin e deponive, me vlerë mbi 958 mijë euro, kontratë e cila ka tejkaluar limitin e lejuar ligjor prej 30 për qind.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), disa ditë më parë ka shpalosur gjetjet mbi parregullsitë në KMDK, duke rezultuar në pagesa për punë të pa dokumentuara dhe miratime të paautorizuara për shërbime pa nënshkrimet e nevojshme.
Kryeshefi ekzekutiv i KMDK-së, Dardan Velija, në një konferencë për media sot tha se kontrata në fjalë është iniciuar dhe zbatuar nga menaxhmenti i mëparshëm.
“Kontrata në fjalë është iniciuar dhe zbatuar nga menaxhmenti i mëparshëm, para se unë të merrja këtë pozitë. Auditimi ka zbuluar parregullsi serioze në një kontratë për mirëmbajtjen dhe riparimin e deponive, duke përfshirë tejkalime të mëdha të kostove të kontraktuara, me një shumë prej gati 958,189 euro, shumë më tepër sesa kufijtë ligjorë të prokurimit, mos përputhje me rregulloret financiare dhe të prokurimit, mungesë mbikëqyrjeje të duhur, duke rezultuar në pagesa për punë të paplota, të pa dokumentuara ose të pajustifikuara dhe miratime të paautorizuara për shërbime, pa nënshkrimet e nevojshme”, tha Velija.
Dardan Velija ka treguar edhe veprimet që do të ndërmerr kjo kompani në të ardhmen.
“Prej kur kam ardhur kam marrë masa për shtimin e kontrollit të brendshëm. Si pjesë e këtij angazhimi është edhe ky auditim. Kemi bashkëpunuar dhe do të bashkëpunojmë plotësisht me ZKA, institucionet e rendit, Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe çdo institucion tjetër relevant për të ndihmuar në hetimin e plotë të çështjes…Do të përmirësojmë sistemin e raportimit të brendshëm, në mënyrë që institucionet dhe publiku të mund të shohin se si dhe ku po shpenzohen fondet publike, duke garantuar që operacionet tona të mbeten plotësisht transparente”, shtoi ai.
Velija tha se si kryeshef i KMDK-së nuk do të tolerojë më keqpërdorimin e fondeve apo korrupsionin në asnjë nivel brenda kësaj kompanie.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?