Shqyrtimi për tarifat e reja energjetike, shqetësim për qytetarët

Zyra e Rregullatorit për Energji bëri të ditur se janë në fazën e konsultimit publik në lidhje me propozimin për shtrenjtimin e rrymës. Për këtë shtrenjtim të mundshëm, të shqetësuar shprehen qytetarët, të cilët thonë se aktualisht e kanë të rënduar gjendjen me faturat e larta. Oda Ekonomike e Kosovës ndërkaq, këtë rritje e konsideron të pa bazë.
Shqetësimi për një rritje të mundshme të çmimit të energjisë elektrike kishte nisur nga muaji shkurt, prej kur kompanitë për shpërndarje dhe furnizim me rrymë KOST, KEDS dhe KESCO dërguan në Zyrën e Rregullatorit për Energji një kërkesë për ndryshim të tarifave. Kjo gjë nisi të bëhej edhe më serioze kur kjo e fundit vlerësoi këtë kërkesë dhe tha se parashikon një rritje mesatare të tarifave për rreth 15%.
Qytetarët thonë se nëse do të rritet çmimi i energjisë serish do ta rëndoi edhe më shumë jetën dhe mirëqenien e tyre.
Zyra e Rregullatorit për Energji, aktualisht ka hapur konsultimin publik, që palët e interesuara të japin komente dhe sugjerime në lidhje me tarifat, për t’i hapur udhë pastaj një vendimi, nëse do të ketë shtrenjtim apo jo.
“Aktualisht, ZRRE është në proces të marrjes së vendimit për tarifat e energjisë. Raporti konsultativ i përgatitur nga ZRRE, pas vlerësimit të aplikimeve nga ndërmarrjet e licencuara, parashikon një rritje mesatare të tarifave për rreth 15%. Raportet konsultative të përgatitura nga ZRRE-ja janë në konsultim publik deri më 28 mars 2025. Gjatë kësaj faze, palët e interesuara mund të japin komente dhe sugjerime në lidhje me tarifat e mundshme të energjisë. Pas përfundimit të procesit të konsultimit publik, shqyrtimit të komenteve dhe sugjerimeve të pranuara, ZRRE-ja do të marrë vendim për tarifat e reja të energjisë”, ka thënë ZRrE-ja.
Rrjedhimisht, shtrenjtimi i energjisë elektrike sjellë ulje të standardit jetësor të qytetarëve, deklaron kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna. Sipas tij, në këtë periudhë kohore, çmimi i energjisë elektrike do duhej të ulej.
“Do të vërehet në xhepin e qytetarëve tanë, do të ketë një ulje të standardit jetësor, do të ndikoj në shportën e qytetearit. Logjika do të kishte qenë sikur rritja të bëhej në sezonën e dimrit, por pranë sezonit të verës cmimi bie gjithkun sepse bie edhe kërkesa për import të rrymës”, tha Rafuna.
Ndër të tjera, Zyra e Rregullatorit për Energji u ka kërkuar bizneseve me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro që të zgjedhin vetë furnizuesit përmes tregut të hapur energjetik. Oda Ekonomike e Kosovës e sheh të nevojshme që bizneseve tu jepet kohë të paktën për një vit, në mënyrë që mos të pësojnë humbje./RTV21/21Media