Pabarazia gjinore në emërimet e rrugëve

Përfaqësimi i grave në emërtimin e rrugëve në Prishtinë po konsiderohet i ulët.
Vetëm 8% të rrugëve në kryeqytet mbajnë emrat e tyre, pavarësisht se barazia gjinore është një kriter i përcaktuar me ligjin për barazi gjinore.
Në historinë e Kosovës, gratë kanë luajtur një rol kyç në arsim, kulturë, luftë dhe politikë. Por nëse shikojmë emërimet e rrugëve të kryeqytetit, duket se ato pothuajse nuk kanë ekzistuar, krahasuar me burrat veprimtarë që po ashtu kanë dhënë kontribut për vendin.
Sipas Ligjit për udhëzim Administrativ emri i rrugëve mund të lidhet me personalitete historike, toponime gjeografike, objekte karakteristike ose ngjarje të rëndësishme.
Nisur nga kjo, sipas vlerësimeve të komunës së Prishtinës, vetëm 8% e rrugëve mbajnë emra femëror dhe 75% prej tyre janë emra mashkullor.
“Në Prishtinë ka emra rrugësh si me emra burrash ashtu edhe me emra grash, si dhe emra të ngjarjeve të ndryshme. Sipas përqindjes, emrat mashkullorë përbëjnë rreth 75%, ndërsa emrat e grave, fatkeqësisht, janë vetëm 8%. Kjo është diçka që duhet ta përmirësojmë si kryeqytet, sepse e dimë mirëfilli që kemi shumë personalitete të rëndësishme – qofshin ato historike apo figura që kanë dhënë kontribute në arsim, si mësuese, profesoresha e intelektuale – të cilat meritojnë të jenë pjesë e këtij aspekti dhe të ndihmojnë në uljen e kësaj pabarazie”, ka thënë Donat Lushaku, zëdhënës në Komunën e Prishtinës.
E për ta përmirësuar përqindjen e ulët të emrave të grave në emërimin e rrugëve zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Donat Lushaku thotë se në të ardhmen pritet të analizohet emërimi i rrugëve të reja.
“Një analizë e hollësishme duhet të bëhet nga një komision që duhet të themelohet brenda komunës. Ky komision do të shqyrtojë rrugë për rrugë dhe vend për vend se si mund të përmirësohen këto kushte, pse jo edhe të shqyrtojë mundësinë e zëvendësimit të ndonjë emri. Po ashtu, do të analizohet edhe mundësia e emërtimit të rrugëve të reja me emrat e personaliteteve të rëndësishme femërore, të cilat e meritojnë këtë vlerësim”, ka thënë Lushaku për rtv21.
Edhe në të kaluarën sipas Fehmi Rexhepit, si Kryetar i Komisionit për Emërimin e rrugëve në vitin 2001 qëllim kanë pasur plotësimin e kriterit për barazi gjinore.
“Përveç kritereve kombëtare, kemi pasur edhe kriterin për barazinë gjinore dhe kritere ndërkombëtare, sepse, sipas rregullores së atëhershme, 10% e emërtimeve në Komunën e Prishtinës duhej t’u takonin pakicave.
Që nga momenti i parë, kemi pasur për qëllim të plotësojmë edhe kriterin e barazisë gjinore për të theksuar kontributin e femrës shqiptare dhe jo vetëm të saj në rrjedhat e historisë. Për shembull, në listën e emërtimeve të asaj kohe, kemi filluar nga Mbretëresha Teutë e deri te heroinat më të reja, si Xhevë Lladrovci”, ka thënë Rexhepi për rtv21.
Sipas profesoreshës dhe aktivistes Sadete Tërnava, ky disproporcion është një brengë e veçantë gjinore, sepse jo vetëm rrugët por edhe institucionet publike kanë më shumë emra burrash.
“Ajo që kemi vërejtur, ajo që unë shoh, është se mungojnë emrat e grave dhe vajzave në hapësirat publike. Nëse bëjmë një ecje përgjatë shesheve, do të shohim se ato mbajnë emra burrash – bulevardet, sheshet, shkollat, institucionet, shkollat fillore, të mesme, universitetet – përgjithësisht, kudo ka emra burrash, ndërsa përqindja e emrave të grave është fare e vogël. Kjo është një brengë e përgjithshme shoqërore, një brengë e veçantë gjinore, të cilën duhet ta prekim në mënyrë që, para së gjithash, ta respektojmë ligjin për barazi gjinore”, ka thënë Tërnava.
Sipas Tërnaves kjo gjendje është realiteti i shoqërisë, ku kontributi i burrave vlerësohet më shumë në raport me atë të grave.
“Kjo situatë është një reflektim i shoqërisë në të cilën jetojmë, sepse për një kohë të gjatë është menduar se lufta është për burra, burgu është për burra, negociatat janë për burra, siguria është fushë e burrave. Në njëfarë mënyre, gratë nuk janë përfshirë në këto procese, por ne e dimë që ato gjithmonë kanë qenë pjesë e luftës, e paqes dhe e negociatave”, ka thënë ajo.
Sipas ligjit, barazia gjinore bazohet në parimin e sjelljes së njëjtë dhe në parimin e mundësive të barabarta./RTV21/21Media