Zeka: Kosova në shenjë të vullnetit të mirë të heqë një anshëm taksën ndaj SHBA-ve

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka tha se tarifa prej 10% e vendosur për mallrat e Kosovës që eksportohen në SHBA do të ketë ndikim negativ në një periudhë afatshkurtre pasi që mallrat e Kosovës pas kësaj takse do të bëhen më pak konkurruese.
Zeka ka theksuar se tarifa prej 10% është një përgjigje ndaj tarifave doganore që ka aplikuar Kosova ndër vite ndaj SHBA-ve. Zeka ka shtuar se marr parasysh marrëdhëniet që ka Kosova me SHBA-në, vendi ynë do duhej që në shenj të vullnetit të mirë të hiqte tarifën doganore prej 10% në mënyrë të një anshme, veprim ky i cili sipas tij nuk do të kishte ndonjë ndikim të madh negativ për Kosovën.
”Në periudhë afat shkurtre do të ketë ndikim sepse mallrat e Kosovës që eksportohen në SHBA do të bëhen më pak konkurruese meqë do ti shtohet tarifa prej 10%. Megjithatë duhet rikujtuar se përgjatë disa viteve të fundit pas datës 31 dhjetor 2020 edhe aranzhimi i njëanshëm tregtar i SHBA-ve i njohur si sistemi i përgjithësuar i preferencave i njohur me shkurtesën GSP ka skaduar dhe një pjesë e mallrave të eksportuara në Amerikë nuk kanë qenë të liruara ose nuk kanë përfituar nga lirimet doganore të parapara me këtë sistem. Tarifia 10% është përgjigje ndaj tarifave doganore që Kosova aplikon ndaj SHBA-ve dhe Oda Amerikane dhe komuniteti ynë i bizneseve ka kërkuar nga disa qeveri të kaluara të republikës së Kosovës që shfuqizojë, të marr një vendim të një anshëm preferencial tregtar. Duke shfuqizuar tarifën doganore prej 10% për mallrat që importohen nga SHBA-të. Po flasim aktualisht për një bilanc tregtar i cili është i favorshëm për Kosovën në raport me SHBA-të. Nuk është që importohen shumë mallra nga SHBA-të, të paktën jo në mënyrë direkte nga SHBA-të. Importohen brende amerikane që prodhohen në shtetet Evropiane dhe ndikimi nuk do të ishte shumë i madh. Kosova duke e pasur Amerikën si partner të rëndësishëm strategjik do ta merrte këtë vendim në shenj të vullnetit të mirë edhe pse jo në një periudhë tjetër jo shumë të largët do të mund të konsideronim shfuqizimin prej 10% nga ana e administratës Amerikane. Do të ishte veprim i vogël nga ana e qeverisë së Kosovës duke e ditur që SHBA-të nuk janë ndër partnerët më i rëndësishëm tregtar për momentin por që në një të ardhme do të mund të ndryshonte. Kosova ka marrëveshje për tregti të lirë me BE-në në kuadër të marrëveshjes për stabilizim asociimin ka marrëveshje me Truqinë që po ashtu është shtet i rëndësishëm për Kosovën dhe pse mos të bënte edhe me SHBA-të s’paku deri në periudhën kur SHBA-të dhe Kosova do të mund të negocionin edhe një marrëveshje për tregti të lirë”, tha Zeka për RTV21.
Drejtori i Odës Amerikane, Arian Zeka ka potencuar gjithashtu se Kosova ka bilanc tregtar pozitiv, duke thënë se tregu amerikan në periudhën 2020/2023 tregu amerikan ishte tregu më i rëndësishëm i produkteve të Kosovës kryesisht për eksportimin e dyshekëve.
“Ne kemi pas një ndryshim përgjatë viteve në strukturën eksportuese ndaj Kosovës. Në periduhën 2020/2023 tregu amerikan ka qenë tregu më i rëndësishëm i produkteve të Kosovës kryesisht për eksportimin e dyshekëve, fatkeqësisht vjet në mesin e vitit është vënë masë tarifore për dyshekët e prodhuar nga Kosova siç është vënë masë tarifore edhe për disa shtete të tjera aziatike dhe Evropiane kjo ka bërë që struktura e eksporteve të ndryshojë. Për momentin vazhdojmë të eksportojmë disa produkte në sasi të vogla si produkte plastike, ushqimore, verëra dhe shpresojmë se edhe tarifa e vendosur ndaj dyshekëve të rishqyrtohet dhe SHBA-të të kthehen si tregu kryesor për produktet made in Kosova dhe Amerika të bëhet së paku partneri më i rëndësishëm tregtar”, tha Zeka.
Zeka foli edhe për raportet Kosovë- SHBA të cilat sipas tij nuk pritet të ndryshohen dhe siç tha SHBA-të po vazhdojnë të promovojnë ruajtjen e stabilitetit dhe fuqizimin e subjektivitetit të saj. Megjithatë, Zeka tha se moszbatimi i marrëveshjeve që ka arritur Kosova ndër vite në dialog me Serbinë ka bërë që raportet ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës të mos jenë në nivelin e duhur./RTV21/21Media