Presidentja Osmani në Bullgari, Gërvalla pret në takim ambasadorin e ri bullgar në Kosovë

Hristo Kraevski është ambasadori i ri i Bullgarisë në Kosovë.
Me nisjen e mandatit të tij, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) Donika Gërvalla- Schwarz, e priti në takim kortezie, me ç’rast i riafirmoi angazhimin e Kosovës për thellimin e marrëdhënieve me Bullgarinë.
Ministrja Gërvalla, siç njofton MPJD, ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë për Kosovën në rrugën e “saj euroatlantike dhe theksoi nevojën për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si thelbësor për sigurinë dhe stabilitetin rajonal”.
Sipas ministrisë, Bullgaria mbetet një partner i rëndësishëm i Kosovës në rajon.
“Ministrja Gërvalla dhe Ambasadori Kraevski diskutuan mbi zgjerimin e bashkëpunimit në fusha kyçe si ekonomia, siguria dhe inovacioni”- shkruan në njoftimin e MPJD-së.
Para ambasadorit Kraevski ka qenë Hristo Gudjev.
Bullgaria ka njohur zyrtarisht Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran më 20.03. 2008. Më 18.01.2010 ishte hapur Ambasada e Kosovës në Sofje.
Ndërkohë për në Bullgari më datë 03.04.2025 është nisur presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. E para e vendit do të përfaqësojë Kosovën në Takimin e Procesit Aqaba, me ftesë të Mbretit të Jordanisë Abdullah II dhe presidentit të Bullgarisë, dhe presidentit të Bullgarisë Rumen Radev.
“Në kuadër të vizitës në Sofje, Presidentja Osmani do të mbajë fjalim në hapje të Samitit si dhe do zhvillojë takime të ndara bilaterale me disa nga liderët pjesëmarrëse”- njoftoi Presidenca.
Gjatë këtyre takimeve, sipas Presidencës do të diskutohet thellimi i marrëdhënieve bilaterale, avancimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe forcimi i përpjekjeve të përbashkëta për stabilitetin rajonal.
Tutje, njoftohet se ky takim organizohet nën patronazhin e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë dhe Republikës së Bullgarisë dhe synon të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.
Atje, Presidentja Osmani do të theksojë angazhimin e suksesshëm të Kosovës në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët dhe partnerët strategjikë.
“Në këtë kuadër, ajo do të riafirmojë përkushtimin e Kosovës për sigurinë rajonale dhe për forcimin e kapaciteteve të institucioneve të saj të sigurisë në përputhje me standardet euroatlantike”- ka shkruar Presidenca.