Energjia në treg të hapur ngrit koston e prodhimit

Oda ekonomike Amerikane në Kosovë ka kërkuar nga qeveria dhe ZRrE që ta shtyjë vendimin për liberalizimin e tregut të hapur energjetik për bizneset. Sipas Odës bizneset nuk janë ende të gatshme dhe kjo do të rrisë koston e prodhimit në Kosovë. Deklarata e odës Ekonomike Amerikane në Kosovë pasoi vendimin e ZRrE-se për liberalizimin e tregut energjetik nga 1 qershori ku të gjitha bizneset mbi 50 punëtorë apo 10 milionë euro qarkullim do të blejnë vet energjinë elektrike.
1 qershori është data kur kompanitë e mëdha në Kosovë duhet të zgjedhin vetë furnizuesit e tyre me energji elektrike. Me kërkesë të Zyrës së Rregullatorit për Energji në Kosovë, të gjitha kompanitë me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro, do të dalin në tregun e hapur të energjisë.
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ka kërkuar që një vendim i tillë të shtyhet.
“Ne kemi pasur edhe diskutime të brendshme me partnerët tanë dhe pjesa dërrmuese e tyre pohojnë se do të ketë ndikim të keq. Do ta rris koston e prodhimit dhe do ta vështirësojë konkurrueshmërinë e tyre në raport me produktet e rajonit. Përvoja me 3 operatorë të tjerë që operojnë në tregun e hapur siç është rasti me Feronikelin, Trepçën dhe Sharrcemin tregon se ata kanë pasur vështirësi dhe kosto të ngritur në operin si pasojë e kalimit në tregun e liberalizuar disa vite më parë. Po shpresojmë se ZRrE-ja do ta shtyjë të paktën datën e implementimit për një datë të re dhe kjo periudhë të shfrytëzohet për përgatitjen e tregut dhe informimit për ndikimin që ka një vendim i tillë”, ka thënë Zeka për rtv21.
Se një vendim i tillë do të vështirësojë punën e bizneseve dhe do të rëndojë xhepin e qytetarëve e thotë edhe njohësi i çështjeve të energjisë Hamdi Malushaj. Sipas tij ZRrE fillimisht do duhej të bënte një fazë testuese për këtë tranzicion.
“Çka thotë ZRrE-ja që është një biznesmen merret me shit-blerje të tokave ka qarkullim 50 milionë euro dhe përdorë vetëm një nxemje në zyre? Ose çka thotë për një biznes që shkrinë çelik përdorë furrat me energji elektrike dhe ka 9 punëtor me qarkullim 9 milionë euro? Nuk merret ky vendim në bazë të numrit të popullësisë. Është gabim, do t’i falimentojë bizneset. Pra në vend se bizneset të kërkonin nga ZRrE-ja të dalin në treg të hapur është ZRrE-ja që merr atë vendim për bizneset”, tha Malushaj për rtv21.
Përveç vendimit për liberalizimin e tregut energjetik për bizneset i cili pritet të hyjë në fuqi në gjysmë të vitit, ZRrE-ja, pritet që të marr një vendim edhe për shtrenjtimin e përgjithshëm të energjisë elektrike. Vendime këto të cilat dëmtojnë bizneset në Kosovë veçanërisht ato prodhuese dhe rëndojnë edhe më shumë xhepin e qytetarëve të Kosovës.
Arian Zeka tha se ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që t’i rikthehet idesë për ndërtimin e një termocentrali për prodhimin e energjisë me thëngjill
“Unë kisha nderin që të kisha një intervistë me gjeneralin Ëeslli Clarck i cili njëhrësh është anëtar nderi i odës. Ai vet e potencoi se nuk do duhej të ishte çështje diskutimi që Kosova të importonte energji elektrike, kur Kosova ka thëngjill të bollshëm dhe të cilësisë së lartë për prodhimin e energjisë elektrike dhe për tu bërë një vend që në vend të importit të eksportonte energji elektrike?”, ka thënë Zeka.
Qeveria Kurti hoqi dorë nga një projekt i mëhershëm i Qeverisë së Kosovës, për ndërtimin e një termocentrali, në bazë të një marrëveshjeje të nënshkruar me një kompani amerikane, Contour Global. Qeveri Kurti gjithashtu ndërpreu edhe një projekt tjetër amerikan, atë të gazit që lidhte Kosovën përmes linjës nga Selaniku./RTV21/21Media