Abdixhiku: Koshare, një ndër betejat më madhështore të UÇK-së

Në 26-vjetorin e Betejës së lavdishme të Koshares, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Koshare.
Ai shtoi se kjo ditë është një kujtim i përjetshëm për sakrificën sublime të dëshmorëve.
“Sot me bashkëpunëtorë të LDK-së, por mbi të gjitha me heronjtë të gjallë të betejës Kosharës nderuam një ndër betejat me madhështore të UÇK-së, atë të Kosharës. 26 vite me parë djemtë dhe vajzat më të mira të vendit nisen thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe me këtë nxitën dritën e parë të triumfit të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci. Sot nderojmë 130 martiret e heronjtë e rënë, Agim Ramadanin, Sali Çeku dhe gjithë të tjetër që dhanë jetën për lirin tonë për brezat e ardhshme”, ka thënë ai.
Fillimisht kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në përvjetorin e 26-të të Betejës së lavdishme të Koshares, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Koshare, për të nderuar sakrificën e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë fjalës së tij, Kurti vlerësoi lart kontributin e luftëtarëve të UÇK-së, të cilët, sipas tij, më 1999 shembën kufirin që ndante shqiptarët që nga viti 1913.
Beteja e Koshares më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Beteja e Koshares ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë.
Në aspektin strategjik beteja e Koshares kishte rëndësi të veçantë jo vetëm marrjen dhe pastrimin e kufirit por edhe krijimit të prapavijës së qëndrueshme për mbështetje dhe operacione logjistike, ndihmë mjekësore etj.