Policia zbulon laborator të improvizuar të kanabisit në Soqanicë të Leposaviqit

Policia e Kosovës ka kryer një kontroll në shtëpinë e një të dyshuari në fshatin Soqanicë të komunës së Leposaviqit, ku ka zbuluar një tendë të improvizuar për kultivimin e bimëve narkotike.
Sipas raportit të Policisë, gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar mjete dhe substanca të dyshuara narkotike.
“Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit, mashkull kosovar, janë sekuestruar një tendë e improvizuar me një llamë elektrike, një pompë uji, një kuti plastike me disa bimë të mbjella me kanabis, një vazo me bimë të tjera të të njëjtit lloj, një sirtar druri i përshtatur për tharjen e narkotikëve, si dhe një sasi prej 1.5 gramësh substancë të dyshuar të llojit marihuanë dhe 200 fara të kanabisit”, thuhet në raport.
I dyshuari nuk është arrestuar, ndërsa prokurori i rastit ka vendosur që procedura të vazhdojë në mënyrë të rregullt.