Gërvalla: Maskat ranë, opozita votoi kundër vetvetes dhe Republikës

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Donika Gërvalla, ka reaguar ashpër pas zhvillimeve në seancën konstituive të legjislaturës së re, duke akuzuar opozitën për bllokim të institucioneve dhe për veprim antidemokratik.

Në një postim në rrjete sociale, Gërvalla shkruan se “maskat ranë dhe bllokuesit po shihen”, duke iu referuar votës kundër të deputetëve të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe ndaj raportit të komisionit për verifikimin e mandateve – një hap formal që zakonisht nuk kontestohet.

“Opozita e vjetër dhe e re në Kuvendin e Kosovës sot votoi kundër konstituimit të Kuvendit, kundër vetvetes dhe kundër rezultateve të certifikuara të KQZ-së”, thekson ajo.

Sipas Gërvallës, ky veprim nuk është parë as në skenat më të tensionuara politike në të kaluarën, duke nënvizuar se është hera e parë që një deputet voton kundër verifikimit të mandatit të vet. Ajo i përmend edhe ata deputetë të rinj që kanë ardhur nga diaspora, duke ironizuar me faktin që “përzgjedhurit e postierit në Zvicër e Gjermani” iu bashkuan këtij bllokimi.

Deputetja vlerëson se kjo është një përpjekje e dëshpëruar e atyre që kanë humbur pushtetin për herë të dytë dhe tani nuk po sulmojnë vetëm fituesin e zgjedhjeve, por edhe vetë funksionimin e shtetit.

“Ky sulm ndaj funksionimit të vet Republikës nuk duhet të mbetet pa pasoja”, përfundon ajo, duke lënë të kuptohet se pritet një reagim më i ashpër institucional ndaj këtij zhvillimi.

Back to top button