Dërgohet në mbajtje 21 vjeçari që sulmoi nënën e tij

Policia e Kosovës ka pranuar një informacion për një rast të dhunës në familje që ka ndodhur të enjten në fshatin Jagenicë të Zubin Potokut.
Menjëherë pas raportimit, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, ku ka arrestuar personin e dyshuar, S.M., 21 vjeç, pasi që i njëjti kishte sulmuar nënën e tij.
“Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Zubin Potok dhe pas trajtimit është liruar. Lidhur me rastin, janë përfshirë njësitë rajonale të hetimeve për dhunë në familje, të cilat kanë kontaktuar me Prokurorin e Shtetit. Pas konsultimit me prokurorin, është iniciuar rasti si vepër penale ‘Lëndim i lehtë trupor’. Me vendim të prokurorit, personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës ka thënë se mbetet e përkushtuar në trajtimin e rasteve të dhunës dhe siguron qytetarët se çdo veprim i kundërligjshëm do të trajtohet me seriozitet të plotë.