I dyshuari për vrasjen e rreshterit Lika ishte dënuar për dhunim

I dyshuari për vrasjen e rreshterit policor Muhamed Lika në Kaçanik, të cilit sot iu caktua masa e paraburgimit për “Vrasje të rëndë”, ka qenë i dënuar për veprën penale “Dhunim”.
Kështu ka konfirmuar Gjykata Themelore në Prishtinë, ku bëhet e ditur se personi i dyshuar- i cili ka qenë i mitur në kohën e kryerjes së veprës penale, është në procedurë të ekzekutimit të masës institucionale për dy vjet për dhunim. Ndaj tij, ishte lëshuar urdhërarrest.
“Referuar pyetjes suaj, ju njoftojmë se i dyshuari i mitur për rastin në fjalë të veprës penale Vrasja e rëndë për të cilën gjykata ka lëshuar Komunikatë për Media dhe ju ka njoftuar se gjyqtari i çështjes ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ka në procedurë të ekzekutimit të masës institucionale në kohëzgjatje prej dy (2) vite për veprën penale dhunimi nga neni 227 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së për të cilën ka të lëshuar urdhërrarrest”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Ferizaj ndaj të dyshuarit të lartpërmendur të hënën më 21 prill ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Ai dyshohet se në bashkëkryerje me të dyshuarit madhorë: H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K. dhe D.G., me dashje e me përgatitje paraprake ka privuar nga jeta rreshterin policor Lika.
Ndryshe, në një konferencë për medie të hënën, drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, njoftoi se pas hetimeve intensive, gjatë zhvillimit të operacionit policor në Kaçanik, janë arrestuar shtatë të dyshuar lidhur me planifkimin dhe vrasjen e rreshterit Muhamed Lika në Kaçanik më 1 prill. Në mesin e të arrestuarve u tha se është një i pandehur i cili sot ka mbushur 18-vjeç.
Në konferencë u tha se motivi i vrasjes dyshohet se lidhet me punën e tani të ndjerit Lika si pjesëtar i Policisë së Kosovës. Po ashtu, u tha se disa prej të dyshuarve kanë të kaluar kriminale./BetimipërDrejtësi
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?