Kaloni te përmbajtja kryesore

Braktisja e foshnjave, ”Barku i nënës, shtëpia e tyre e fundit”

Në një cep të spitalit, larg zhurmës së lindjeve të reja, rri një foshnje e porsalindur e cila nuk u prit me përqafime por u la e vetme…Në vend të duarve të ngrohta, e priti ajri i ftohtë i një salle bosh. Në vend të zërit të nënës, dëgjoi vetëm hapat e saj duke u larguar. Dhe që atëherë, çdo mëngjes e gjen në të njëjtin krevat, të vogël për trupin, por të madh për vetminë…
Infermirët mundohet të zbusin boshllëkun duke i’u ofuar një dashuri pa kusht. Lusha Jusufi, është vetëm njëra prej infermiereve që tashmë ka krijuar një lidhje të fortë me të vegjlit.

“Ne këtu kujdesimi katër motra ndërrimi për këto bebe. Jemi të lidhura shumë emocionalisht me këta fmi. Kujdesemi shumë për ta sepse nënat e tyre nuk kanë qenë në gjendje me u marrë me ta”, tha Jusufi për RTV21.

Në të njëjtën mënyrë në klinikën e neonatologjisë vetëm brenda katër mujorit të parë të këtij viti u lanë  edhe 5 bebe të tjera por ajo që i bënë të dallonin ishin historitë e braktisjes së tyre…Megjithatë drejtori i kësaj klinike, Luan Morina, thekson se janë 28 ditë kur prindërit mund të kthehen prapa dhe t’i marrin sërisht fëmijët që braktisën, për çka tha se në këtë klinikë kishin 5 raste kur prindërit u ribashkuan me foshnjat e tyre.

“Gjatë këtij viti janë regjistruar 6 raste të braktisjes së foshnjave të posalindura. Ndërkaq në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kanë qenë 7 raste. Arsyet kryesore që prindërit po i qojnë në marrjen e këtij vendimi janë problemet ekonomike, fëmijët jashtëmartesorë…”, tha Morina.

Nëse pas 28 ditëve nuk ka kthim prindëror, fëmija do të dërgohet tek qendra për punë sociale. Vetëm në kryeqytet gjatë këtij viti u regjistruan dy raste të reja.

”Menaxheri i rastit i Qendrës për Punë Sociale është i obliguar që me prioritet të angazhohet për bashkimin familjar të fëmijës me familjen biologjike. Në të kundërt duhet të vendoset në format mbrojtëse varësisht situatës dhe vlerësimit nga menaxheri i rastit dhe ekipi multidisplinar. Nëse prindërit nuk arrijmë t’i  bindim për pranimin dhe kujdesin për fëmijën e tyre ata njoftohen nga menaxheri i rastit dhe ekipi për procedurat e mëtutjeshme. Fëmija varësisht specifikave, nevojave të tij e të tjera mund të vazhdojë në format alternative të mbrojtjes së fëmijës, në strehim familjar apo strehim rezidencial deri në zgjidhjen e statusit ligjor të tij më çka nënkuptojmë se është i gatshëm për adoptim”, grafika nga Qendra për punë sociale në Prishtinë.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, nga prindërit janë braktisur 37 foshnja, ku prej tyre 22 foshnje më ndihmën e Qendrave për Punë Sociale, kanë pasur bashkim familjar me njërin prindër të tyre biologjikë./RTV21/21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button