S’ka konstituim të Kuvendit as në përpjekjen e nëntë

(Lajm i përditësuar)


KDI: Ndryshimi i votimit brenda seancës, vendim arbitrar që cenon integritetin e Kuvendit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ndaj tentativës për ndryshim të mënyrës së votimit gjatë vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, duke e quajtur këtë veprim arbitrar dhe në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës.

Në një deklaratë për media, KDI shpreh “shqetësim të thellë” për, siç thuhet, mënyrën jo të rregullt me të cilën është zhvilluar votimi gjatë seancës së sotme, duke theksuar se ndërhyrja e kryesuesit të seancës për të ndryshuar metodën e votimit “në mes të procesit dhe pa bazë procedurale” përbën shkelje të rëndë të praktikave demokratike parlamentare.

“Ndryshimi i rregullave gjatë lojës – veçanërisht kur vjen në funksion të kalkulimeve të brendshme politike – dëmton rëndë autoritetin e Kuvendit dhe minon besimin publik në integritetin e proceseve demokratike”, thuhet në reagimin e organizatës që monitoron nga afër punën e Kuvendit.

KDI i ka bërë thirrje kryesuesit të seancës, Avni Deharit, si dhe të gjithë deputetëve, veçanërisht grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, që të respektojnë standardet procedurale të përcaktuara me Rregullore dhe të veprojnë në përputhje me normat e përgjegjësisë institucionale dhe politike që kërkon funksioni përfaqësues.

 


Murati: PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe refuzuan ta zhbllokojnë procesin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka thënë se me refuzimin për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, PDK, LDK-ja dhe AAK u panë se janë “kundër zhbllokimit, kundër konstitutimit të Kuvendit”.

“PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe refuzuan ta zhbllokojnë procesin”, u shpreh Murati.

Ai i ka quajtur “joracionale” qëndrimet e partive që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

Murati ka deklaruar para gazetarëve se votimi i fshehtë për konstituimin e Kuvendit u mundësua nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese më 2014.


Abdixhiku: A po e kuptoni tani, se pse me të tillët, nuk mund të kesh as takim e as mirëkuptim?

Pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka reaguar përmes një postimi në Facebook.

Abdixhiku ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për veprim me “arbitraritet të plotë”, pas propozimit për ndërrimin e formës së votimit për kryeparlamentarin.

“A po e kuptoni tani, se pse me të tillët, nuk mund të kesh as takim e as mirëkuptim? Të takojnë, të mashtrojnë! Gjersa të thërrasin në takim, jashtë të ofendojnë. Në fund veprojnë në arbitraritet të plotë!. Sepse nuk njohin njerëzoren, as fjalën as kurrizin! Kjo politikë duhet të marrë fund! LDK do t’i japë fund. Është interes kombëtar refuzimi i qasjes së tillë politike, jo nënshtrimi e dorëzimi para saj. Shpresoj dhe partitë tjera ta kuptojnë këtë gjë sa më parë”, ka shkruar tutje Abdixhiku./21Media

 


Kadrijaj: Kosova po mbahet peng për shkak të një kandidati

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj tha se përmes Albulena Haxhiut, Lëvizja Vetëvendosje po e mban peng vendin.

Ajo tha se meqenëse nuk i kanë votat, LVV-ja po këmbëngul në të njëjtën kandidate.

“Këta duke e pa që nuk i kanë votat, nuk po i sigurojnë votat, janë lidhur me emrin e Albulena Haxhiut dhe tash Kosova duhet të mbetet peng i Albulena Haxhiut”, tha Kadrijaj.

 


Bajrami: Në Kosovë sot po flitet vetëm për një emër, Albulena Haxhiun

Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së, ka thënë se është e papranueshme që të bëhet një votim i fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Para gazetarëve, Bajrami tha se ”VV po dëshiron t’i përserisim zgjedhjet dhe ta bëjë Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit, me vota të LDK-së ajo nuk do të bëhet kryetare”.

Ajo tutje ka shtuar se ”Sot në Kosovë po flitet vetëm për një emër, Albulena Haxhiun”, duke shtuar se ka shumë probleme për çka duhej të diskutohej./21Media


Krasniqi: Albini të na tregoj se çka i ka borxh Albulena Haxhiut

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi pas dështimit të nëntë të seancës konstituive tha se qytetarët nuk i kanë borxh Albin Kurtit që ta mbajë vendin e bllokuar.

‘’Nuk kalon Albulena Haxhiu edhe pikë. Nëse dëshiron me mbajt shtetin e bllokuar për shkak të Albulena Haxhiut le të na tregon çfarë borxhi i ka.  Por qytetarët nuk i kanë borxh Albin Kurtit për ta mbajtur vendin e bllokuar se u tek me bo një shoqe të tij kryetare të Kuvendit’’, tha Krasniqi./21Media


S’ka konstituim të Kuvendit as në përpjekjen e nëntë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës të enjten, në përpjekjen e nëntë, pasi nuk kaloi propozimi i kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për votim të fshehtë për kryeparlamentarin.


PDK e LDK refuzojnë votimin e fshehtë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se partia e tij refuzon mënyrën e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit të Kosovës.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes deputetes Hykmete Bajrami, ka refuzuar pjesëmarrjen në votimin e fshehtë.

Si PDK, ashtu edhe LDK e kanë cilësuar të paligjshme ndërrimin e formës së votimit. Votimin e fshehtë e ka refuzuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe.


Rinis seanca konstituive

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës po vazhdon për të nëntën herë sot.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, tha se të pranishëm janë 110 deputetë.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka propozuar që votimi për kryetar të Kuvendit të bëhet në mënyrë të fshehtë.


Kadrijaj: Qytetarët duhet ta dinë, VV-ja është bllokuese e konstituimit të Kuvendit

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka thënë se qytetarët duhet ta dinë se Lëvizja Vetëvendosje është ajo që po bllokon konstituimin e Kuvendit.

“S’kemi votë në këto rrethana. Për zhbllokimin e kësaj situate kemi propozuar dy emra, por nuk po duan. Edhe partitë e tjera kanë shprehur gatishmëri të votojnë tjetër kandidat. Qytetarët duhet ta dinë se VV-ja është bllokuese e konstituimit të Kuvendit”, ka deklaruar Kadrijaj.

Tutje, ajo u shpreh se edhe nëse do të ishin të ftuar në takimin e sotëm nga Kurti nuk do të kishin shkuar./21Media


Limaj: Konstituimi i Kuvendit vështirë të bëhet pa marrëveshje politike

Kryetari i NISMAS-s, Fatmir Limaj para fillimit të seancës Konstituive nuk ka komentuar mos ftesën e kryetarit të VV-së Albin Kurtit për takim.

Sipas tij, ‘’vështirë të bëhet konstituimi pa një marrëveshje politike’’.

“Ajo shumicë zgjedh kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë”, është shprehur ai para gazetarëve.

Limaj ka thënë se një “marrëveshje politike duhet të ndërtohet para futjes në Kuvend”.

“Po pres dhe po besoj që kjo shumë shpejt do të ndodhë”, ka deklaruar ai./21Media


Haziri: LVV-ja nuk ka vullnet politik, ne shkojmë në takim vetëm kur duhet të kryhet punë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se mosshkuarja e kryetarit të partisë së tij në takimin e ftuar nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, “nuk është refuzim i dialogut”.

‘’Nuk shkohet në takim për të drejtën e fituar dhe natyrisht po mungon një marrëveshje politike që partia e parë duhet me realizu. Nëse do të ishte LDK-ja në këtë pozitë ne para 5 jave e kishim mbyllë çështjen e Kuvendit. Me bë takime vetëm sa për tu takuar dhe mu taku me u marrëvesh për mos me u marrë vesh, LDK shkon në takim vetëm kur duhet të kryjmë punë’’, tha Haziri ndër tjera.

Sipas tij, LVV-ja “nuk ka vullnet politik për zgjidhjen e problemit”./21Media


Krasniqi: Situata nuk ka ndryshuar, PDK asnjëherë nuk i heziton dialogut me këdo

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi pas takimit me kryetarin e VV-së, Albin Kurtin tha se si situata nuk ka ndryshuar, dhe se PDK asnjëherë nuk i heziton dialogut me këdo.

”Unë jap propozime i takon Kurtit”, tha shkurt Krasniqi, teksa shtoi se nuk pret ndonjë ndryshim në seancën e sotme.

Krasniqi tutje ka shtuar se ”Në takim kam shkuar me i thënë zotni ndërroje kandidatin për me zhblloku Kuvendin”./21Media


​Murati: Refuzimi i LDK-së për takim me Kurtin, një përgjigje e qartë se kush po bllokon Kuvendin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati ka thënë se me ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti ndaj PDK-së dhe LDK-së për të diskutuar rreth konstituimit të Kuvendit tw Kosovws dhe mos pranimin e ftesës nga ana e LDK-së, po shihet se kush po bën bllokada të kuvendit të Kosovës, raporton KosovaPress.

Murati para seancës konstituive të kuvendit të Kosovës, tha se refuzimi i LDK-së për takim është një përgjigje e qartë për qytetarët e Kosovës.

“Po qartësohet pra se kush po bën bllokada, refuzimi edhe për të diskutuar për temën besoj që është mjaft e qartë. Kemi edhe hipokrizinë tjetër, ku thuhet që pozita e kryetarit, hajde ta diskutojmë ndërkaq pozita e nënkryetarit na është e garantuar me kushtetutë, e njëjta pozitë është e garantuar me kushtetutë”, tha Murati.

 


Bajqinovci: LDK nuk po ka dëshirë të takohet e lë më të diskutohet për zhbllokim

Deputet i Vetëvendosjes Mefail Bajqinovci para gazetarëve tha se presin që sot t♪7 ketë zhbllokim të Kuvendit, duke shpresuar që kandidatja e tyre, Albulena Haxhiu t’i marrë votat.

Bajqinovci tutje foli edhe për refuzimin e ftesës për takim nga LDK-ja për çka tha se ”LDK nuk po ka dëshirë të takohet e lë më të diskutohet për zhbllokim”.

Ai tha se nuk janë tërhequr nga propozimi që Albulena Haxhiu të jetë kryeparlamentare./21Media


Përpjekja e nëntë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Sot në Kuvendin e Kosovës do të tentohet sërish konstituimi i Kuvendit.

Kjo pritet të jetë seanca e nëntë, çdo 48 orë, që nga 15 prilli.

Kandidatja për kryeparlamentare nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tashmë gjashtë herë ka dështuar të zgjidhet në krye të këtij institucioni.

Dje, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ftoi në një takim konsultativ dy partitë më të mëdha: Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

PDK-ja, përmes kryetarit Memli Krasniqi, pranoi ftesën dhe konfirmoi pjesëmarrjen në takim të planifikuar për sot në orën 08:30, një orë e gjysmë para nisjes së seancës konstituive. Krasniqi theksoi nevojën urgjente për zhbllokimin institucional dhe propozoi gjetjen e një kandidati për kryetar Kuvendi që do të ketë mbështetjen e shumicës së deputetëve. Megjithatë, ai theksoi se pozita e nënkryetarit nuk është objekt diskutimi.

Në anën tjetër, LDK-ja refuzoi pjesëmarrjen në takim. Kryetari Lumir Abdixhiku ndodhet jashtë vendit, por zyrtarë të lartë të partisë, si Besian Mustafa dhe Hykmete Bajrami, e konfirmuan për RTV21 se nuk do të marrin pjesë në këtë takim../21Media

Back to top button