​Lufta në Ukrainë nuk do të përfundojë së shpejti, thotë Vance

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, ka thënë se lufta në Ukrainë “nuk do të përfundojë së shpejti”, në një intervistë për Fox News.

Sipas BBC News, Vance tha se pyetja që i shtrohet tani administratës amerikane është se si mund t’i ndihmojë Rusia dhe Ukraina të “gjejnë një pikë të përbashkët” për t’i dhënë fund konfliktit që ka vazhduar për më shumë se tre vjet.

Megjithatë, Vance shtoi, “do të varet nga [Rusia dhe Ukraina] që të arrijnë një marrëveshje dhe ta ndalin këtë konflikt të egër, të egër”.

Deklaratat e tij erdhën pak pasi Uashingtoni nënshkroi një marrëveshje me Kievin për ndarjen e fitimeve nga mineralet e rralla të Ukrainës, në këmbim të ndihmës së ardhshme të sigurisë nga SHBA.

Vance i bëri këto komente gjatë një interviste të gjerë, në të cilën mbrojti qasjen e Trump-it ndaj luftës në Ukrainë.

“Po, sigurisht, [ukrainasit] janë të zemëruar që janë pushtuar”, tha ai. “Por a do të vazhdojmë të humbasim mijëra e mijëra ushtarë për disa milje territor aty-këtu?”

Trump sugjeroi këtë javë se Ukraina mund të jetë e gatshme të heqë dorë nga Krimea – të cilën Rusia e pushtoi në vitin 2014 – në mënyrë që të arrihet një marrëveshje armëpushimi.

Por presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kishte lënë të kuptohet më herët se nuk do të mund ta pranonte kontrollin rus mbi gadishullin, duke përmendur kushtetutën e Ukrainës.

Në një intervistë të veçantë për Fox News të enjten, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se duhet të ketë një “përparim” në konflikt së shpejti, përndryshe Trump “do të duhet të vendosë se sa kohë t’i kushtojë kësaj çështjeje”.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, njoftoi këtë javë një armëpushim të përkohshëm tre-ditor duke filluar nga 8 maji, për të përkuar me përvjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm 30-ditor në përgjigje të kësaj.

Por luftimet ndërmjet dy vendeve kanë vazhduar.

Të enjten në mbrëmje, një sulm me dron rus në qytetin juglindor të Ukrainës Zaporizhzhia plagosi 14 persona, por nuk pat rast të vdekjes.

Ndërkohë, Moska akuzoi Ukrainën për përdorimin e dronëve për të sulmuar një treg në Ukrainën jugore të kontrolluar nga Rusia, po ashtu të enjten. Sipas zyrtarëve rusë, shtatë persona u vranë dhe më shumë se 20 të tjerë u plagosën.

Kievi i mohoi akuzat, duke shtuar se sulmi kishte si objektiv vetëm personelin ushtarak, shkruan BBC.

Back to top button