Ambasada e Shqipërisë nderon Skënderbeun në përvjetorin e lindjes së tij

Në nderim të 620-vjetorit të lindjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, së bashku me stafin e ambasadës, bëri homazhe pranë monumentit të tij në Prishtinë.
Malaj për ditën e lindjes së Skënderbeut tha se kjo ditë është e rëndësishme për kombin shqiptar dhe se brezat e rinj duhet të rriten me ndjenjën e krenarisë për atë që la Skënderbeu pas.
“Po ta marrim thjesht, kjo është një ditë e zakonshme, por po të fillojmë dhe të mendojmë sadopak, do të shohim që kjo është një ditë e rëndësishme për kombin shqiptar. Është 620-vjetori i ditës së lindjes së Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, figurë madhore e kombit tonë, para së cilës ne përkulemi me respekt dhe mirënjohje. Ajo që na mbetet është që brezat tanë të rinj të edukohen me frymën e krenarisë dhe me gjithçka që na la heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ne sot jemi mirë këto në Prishtinë, në Tiranë dhe kudo ku ka shqiptarë, sigurisht falë figurave të tilla, por sidomos falë figurës së Skënderbeut, i cili ishte mburojë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Evropën. Me këtë veprim simbolik, u mirënjoh figura dhe trashëgimia e Skënderbeut, si një ndër personalitetet më të rëndësishme të historisë shqiptare”, tha Malaj. /RTV21/21Media