Abdixhiku thotë se disa parti minoritare po instrumentalizohen

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur reagimit të disa partive të komuniteteve joshumicë joserbe, që e akuzuan se në propozimin për qeveri të tranzicionit i ka përjashtuar komunitetet. Në reagim, Abdixhiku ka thënë se këto parti minoritare po instrumentalizohen dhe po kopjojnë gjuhën fyese të polarizuesve.

Para seancës së dështuar të Kuvendit për konstituim, deputeti i komunitetit egjiptian, Elbert Krasniqi, krah deputetes së komunitetit boshnjak Emilja Rexhepi dhe atij serb Nenad Rashiq, akuzoi Abixhikun për “përjashtim” në konferencën e tij të një dite më parë kur bëri publik propozimin për qeveri të tranzicionit. Edhe pse në letrën drejtuar Albin Kurtit, kryetarit të VV-së, Abdixhiku i kishte përmendur komunitetet, ata akuzuan Abdixhikun për fjalën në konferencë.

“Keqardhje për keqpërdorimin qe po u bëhet disa partive minoritare mbi propozimin tonë të fundit. Instrumentalizimi i tyre në përpjekjen e zgjidhjes politike e parlamentare, lë shenjë të rëndë në përfaqësimin e pakicave në Kosovë dhe marrëdhëniet e tyre me partitë shqiptare. Të painteresuar me përmbajtje por fatkeqësisht të interesuar në kopjimin e gjuhës fyese të polarizuesve, tre përfaqësues minoritarë, anëtarë të kabinetit qeveritarë në detyrë, mbajtën sot Konferencë ku akuzuan LDK-në se nuk i ka përfshirë në propozimin tranzitor. Disa shkuan aq larg sa që për herë të parë në historinë e Republikës së Kosovës, e quajtën Lidhjen Demokratike – parti shoviniste”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook të mërkurën pas seancës. “Ky qëndrim, kopjim i dëmshëm i urrejtjes së panevojshme, është instrumentalizim i ulët i përfaqësuesve të komuniteteve që sot duhet të kenë përfaqësim dinjitoz me të gjitha partitë parlamentare shqiptare”, ka thënë Abdixhiku ndër tjera.

Ai ka shtuar se të kërkohet bashkim i partive shqiptare nuk është krim. Madje sipas tij ky ka qenë mision i LDK-së që nga fillimi.

Back to top button