​Rama: Mbyllim negociatat brenda 2027

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka zhvilluar një konferencë të përbashkët me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në Tiranë.

Rama tha se në takim diskutuan mbi procesin e rrugës drejt anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ku deri më tash janë hapur gjashtëmbëdhjetë kapituj dhe tetë të tjerë do të hapen në ditët në vijim.

“Plani i përbashkët me Bashkimin Evropian është që të arrijmë të mbyllim negociatat në harkun e tri vjetëve nga 2024 deri më 2027. Është një plan ambicioz dhe një mundësi e jashtëzakonshme për ne, pasi janë rreshtuar yjet dhe Bashkimi Evropian sot si asnjëherë më parë është shumë i dëshiruar që të pranojë anëtarë të tij bazuar në meritë dhe rezultat. Aspekti tjetër për të cilin diskutuam është ecuria në rajon, kjo është e lidhur me arsyen pse Bashkimi Evropian është në gatishmëri për të pranuar anëtarët e tjerë dhe unë dëshiroj të përfitoj nga rasti, kjo do të jetë pjesë e diskutimit që t’i ftoj të gjithë kolegët e rajonit të mos e humbasin këtë moment që historia na e ka sjellë në derë”, tha Rama.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, një fjalën e tij pati një mesazh për qytetarët shqiptarë sa i përket anëtarësimit në familjen e madhe evropiane.

“Megjithatë, e gjitha kjo varet nga ecuria juaj nëse do të vijoni me të njëjtin ritëm dhe unë jam i sigurt që me këtë mesazh të fortë që kam për qytetarët shqiptarë dhe për ju Edi dhe ekipin tuaj, se në muajt në vijim, jam i sigurt që ju do të bëni një punë të shkëlqyer dhe vitin tjetër kur të vij për vizitë jam i sigurt që nuk do na duhet t’i përgjigjemi të njëjtës pyetje. Këtë do të dëshiroj të dëgjoj, që Shqipëria do të bëhet anëtare së shpejti”, ka thënë Costa.

Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa ndodhet për vizitë në Tiranë në kuadër të turneut nëpër vendet ballkanike, ku dje qëndroi për vizitë në Kosovë. Ai do të merr pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian që do të zhvillohet nesër në kryeqytetin shqiptar.

Kujtojmë, në samitin e gjashtë të radhës marrin pjesë mbi 40 udhëheqës evropianë dhe kjo është hera e parë që një takim i tillë organizohet në Shqipëri.

Agjenda zyrtare e samitit parashikon nisjen e ceremonisë hapëse në orën 11:00, e ndjekur pas 45 minutash nga seanca plenare e parë, ku liderët do të diskutojnë mbi sigurinë dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen e Evropës.

Komuniteti Politik Evropian u krijua si platformë e përbashkët politike për të forcuar bashkëpunimin dhe stabilitetin në Evropë.

Back to top button