Rama bën bashkë liderët evropianë për samitin e Komunitetit Politik Evropian

(Lajm i përditësuar)


Rama: Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut

Kreu i qeverisë shqiptare, mikpritësi i Samitit të VI të Komunitetit Politik Evropain në Tiranë, Edi Rama në përfundim të sesionit të parë të këtij samiti u foli liderëve të BE-së për një nga virtytet më të çmuara të kombit tonë, mikpritjen.

Ai shtoi me humor se, ndryshe nga shprehja e njohur se “dreka nuk është kurrë falas”, në Shqipëri miqtë janë gjithmonë të mirëpritur dhe të respektuar, në çdo rrethanë.

“Në Kanun ka një kapitull që ka të bëjë me mikpritjen. Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut, kjo fjali është shumë e thellë, është edhe origjinë e faktit që ne arritëm në fund të Luftës së Dytë Botërore si vendi që kishte më shumë hebrenj. Ata erdhën si miq dhe shqiptarët i mbrojtën me jetën e tyre. Ndër të gjitha këto gjëra që ne bëjmë për miqtë e kemi shumë të rëndësishme t’u japim ushqim shumë të mirë. Pavarësisht se thuhet dreka asnjëherë nuk është falas, sot do ta shikoni se është e kundërta. Sa herë të vini në Shqipëri, në çfarëdolloj cilësie do të jeni gjithmonë të mirëpritur”, tha ai.


Starmer: Nëse Rusia nuk do të ulet në tryezën e bisedimeve, Putin duhet të paguajë çmimin

Keir Starmer, i pari kryeministër britanik i cili vjen për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ka mbajtur fjalën e tij në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë.

Kryeministri Starmer e nisi fjalën e tij me batuta lidhur me motin e ditës së sotme.

“Kur unë zbrita nga avioni dje ishte diell, kështu që këto zërat se moti sot është për faj të britanikëve janë të gabuara”, tha ai duke qeshur.

Më tej, Starmer deklaroi se bota ndodhet në një epokë të re, të karakterizuar nga paqëndrueshmëria dhe luhatjet e vazhdueshme. Ai theksoi rëndësinë e partneritetit të ngushtë me aleatët evropianë për përballimin e sfidave të sigurisë dhe rimëkëmbjen e qëndrueshme të kontinentit. Starmer vuri theksin te domosdoshmëria për të mbështetur Ukrainën dhe shtoi se Britania ka rritur angazhimin në kuadër të Koalicionit të të Vullnetshmëve, përmes sanksioneve ndaj flotës ruse dhe mbështetjes së vlerave demokratike.

“Nëse Rusia nuk është e gatshme për paqe, atëherë Putin duhet të paguajë çmimin,” tha ai.

“Jemi në një epokë të re, por është një epokë që karakterizohet nga luhatja, paqëndrueshmëria. Është e trishtë, por kjo është epoka ku kemi hyrë. Është shumë e rëndësishme që gjendemi sot këtu. Ishte shumë e rëndësishme të sinjalizonim qëllimin tonë për të punuar ngushtë me partnerët tanë. Ne kemi intensifikuar angazhimin me aleatët evropianë duke kuptuar se partneriteti është jetik për të arritur një rimëkëmbje të sigurisë. Kemi punuar për këto aleanca në mbarë Evropën. Është kënaqësi të vij këtu (Tiranë) dhe të punoj me ju si partnerët tanë. Sfida më urgjente është sigurimi i një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Ne duhet të bëjmë më shumë për mbrojtjen tonë. Javën e kaluar shpalla një paketë tjetër sanksionesh për flotën ruse në mënyrë që të mbrojmë infrastrukturën tonë. Gjatë muajve të fundit kemi punuar fort që të sjellim te Koalicioni ynë i të vullnetshmve shumë udhëheqës politik dhe ushtarak. Javën e kaluar e kemi bërë këtë gjë jo vetëm si solidaritet, por një kujtesë që këto janë pikërisht të njëjtat vlera që ne luftojmë për të ardhmen. Nëse Rusia nuk do të ulet në tryezën e bisedimeve Putin duhet të paguajë çmimin. Rusia po tërheq këmbët zvarrë dhe nuk e ka seriozisht paqen. Ukraina është pala e paqes. Duhet të vendosim sanksione nëse është e nevojshme, Britania është gati të luajë rolin e vet”, tha Starmer.


“Armët të heshin dhe paqja të vendoset”, Erdogan mesazh nga Tirana

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë për të ndërtuar një vizion të ri për kontinentin. Duke falënderuar Kryeministrin Edi Rama për mikpritjen, Erdoğan u shpreh se ka një potencial të jashtëzakonshëm për bashkëpunim në fusha strategjike si industria e mbrojtjes, energjia, tregjet digjitale dhe mineralet kritike.

Ai kërkoi përfshirjen e aleatëve jashtë BE-së në përpjekjet evropiane për mbrojtjen dhe sigurinë, duke theksuar se “nëse përçahemi, bëhemi më të dobët; nëse qëndrojmë bashkë, jemi më të fortë”. Presidenti turk kërkoi gjithashtu rishikimin e kufizimeve të Shengenit dhe vuri në dukje rolin kyç të Turqisë në transformimin energjetik dhe sigurinë e zinxhirëve të furnizimit.

Në përfundim, ai theksoi nevojën për paqe të menjëhershme në Ukrainë, duke deklaruar: “Jemi në një moment kritik ku armët duhet të heshtin dhe paqja të vendoset.”

“Të nderuar krerë shtetesh dhe qeverish ju përshëndes me respekt personalisht dhe në emër të vendit tim. Jam shumë i kënaqur që gjendem sërish këtu. Falenderoj kryeministrin, mikun tim të dashur Edi Rama. Jemi mbledhur të diskutojmë një vizion të ri që do të ripërckatojnë kontinentin tonë. Është e rëndësishme që ne të veprojmë të bashkuar. Ka një potencial të jashtëzakonshëm për bashkëpunim në fusha si industria e mbrojtjes, energjia, tregjet digjitale dhe lëndët minerale kritike. Janë shumë fusha ku ne mund të bashkëpunojmë. Në këto kohë kritike, përpjekjet e BE për të zhvilluar industrinë e mbrojtjes janë të dobishme këto përpjekje duhe të përfshijnë edhe atleatë që nuk janë pjesë e BE-së. Në fakt me këtë lloj ideje do të ishte në interes më të mirë të sigurisë evropiane. Shumë luftra në të shkuarën na kanë treguar se në pika kritike si mbrojtja dhe siguria nëse përçahemi bëhemi më të dobët dhe nëse qëndrojmë bashkë jemi më të fortë. Praktikat e shengenit që kufizjnë lëvizshmërinë e njerëzve tanë duhe të rishikohen. Si një vend me infrastrukturën energjitike më të zhvilluar Turqia luan një rol të rëndësishëm në Evropë në proceset e transofrmit të energjisë. Hapat që kemi ndërmarrë ofrojnë mundësi për të gjithë rajonin. E gjendur në zemër të korridoreve të transprotit Truqia jep një rol domethënës për ruajtjen e zinxhirëve të furnizmit të Evropës. Jemi në një moment kritik që armët të heshin dhe paqja të vendoset në Ukrainë”, tha ai.


Zelensky në Tiranë: Delegacioni rus në Stamboll ishte teatër! Putin po pengon paqen

Presidenti ukrainas, Volodymir Zelensky, cili ndodhet në Tiranë në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian deklaroi se lufta në Ukrainë duhet të përfundojë.

Ai tha se bota duhet të reagojë, duhet t’i jepet fund vrasjeve.

Zelensky e quajti si teatër delegacionin që ka dërguar Rusia për negociata e paqes në Stamboll.

“Faleminderit Edi Rama. Faleminderit Shqipërisë, një vend që beson tek Europa. Faleminderit për mbështetjen. E vlerësoj shumë faktin që e kuptojmë njësoj situatën. Lufta duhet të përfundojë në Ukrainë. Ukraina ka nevojë për paqe. Nëse Putin nuk do të kishte frikë, do të vinte në Stamboll. Isha gati për një takim, për të zgjidhur të gjitha çështjet. Putini nuk ra dakord për asgjë. Delegacioni rus ishte i një niveli të ulët. Unë dërgova një ekip, për të parë nëse rusët do arrinin të vendosnin ndonjë gjë. Duhet të ketë një armëpushim. Vrasjet duhet të marrin fund. Është 100% e qartë që Putini vazhdon me diplomacinë.

Delegacioni ukrainas e ka mandatin për ta marrë këtë vendim. Po bëjmë gjithçka që takimin e Stambollit ta kthejmë në një proces bosh, të zbrazët. Nuk jemi ne që po minojmë këto negociata, por janë rusët. Janë ata që kanë dërguar kokëboshë nëpër këto takime. Ajo që shohim nga delegacioni rus është thjesht teatër. Bota duhet të ketë reagime, duhet të vendosë sanksione.”, ka thënë Zelensky.


Rama: Nder i jashtëzakonshëm për Shqipërinë që t’ju mirëpresë!

Takimi i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian po zhvillohet këtë të premte, (16 maj) në Sheshin Skënderbej në Tiranë.

I organizuar bashkërisht nga Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ky aktivitet ka mbledhur udhëheqës nga e gjithë Evropa.

Në një konferencë të përbashkët, Kryeministri Edi Rama tha se është nder i jashtëzakonshëm për Shqipërinë që të mirëpresë liderat ndërkombëtar.

“Është një nder i jashtëzakonshëm për vendin tim që t’ju mirëpres të gjithëve në këtë shtëpi që është bërë enkas. Jeni të rrethuar nga imagjinata e fëmijëve shqiptarë për Evropën. Ëndrrat e fëmijëve nuk mbahen peng kurrë. Keni ardhur në një moment domethënës, ku kemi mësuar ta shohim të shkuarën me sytë e të ardhmes. Mbërritja juaj vijon me zgjedhjet. Është kaq kënaqësi që fushata u përmbyll me këto fjalë. Evropa fitoi me 52%. Ka nga ata që mendojnë se duhet të isha shkarkuar që s’ja dola ta fusja Shqipërinë në BE shumë më parë,” tha Rama.


Osmani do të udhëheqë një tryezë me Plenkoviqin: Vuçiq s’ka qenë në listë, e kuptueshme

Presidentja Vjosa Osmani ka folur për tryezën që do të udhëheqë ajo bashkë me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, sot në samitin e Komunitetit Politik Europian.

E pyetur nëse pret që presidenti serb Aleksandar Vuçiq të jetë pjesë në këtë diskutim, Osmani tha se është “e kuptueshme” që ai të mos jetë aty.

“Nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse në tri tryeza në çdo samit të EPC-së zgjidhen nga dy liderë për t’i udhëhequr. Kësaj radhe e kemi nderin që jemi përzgjedhur si Republikë e Kosovës për ta udhëhequr këtë tryezë sa i përket sigurisë dhe migrimit. Aty ka përfaqësues të ndryshëm nga shtete të ndryshme. Nga lista që kam parë Vuçiqi nuk ka qenë në ekipën tonë, që është e kuptueshme, megjithatë sepse natyrisht nuk mendojmë njësoj as sa i përket BE-së e aq më pak për vlerat që përfaqëson BE. Ka liderë të BE-së, jashtë BE-së me të cilët do të bisedojmë”, tha ajo para gazetarëve.


Macron: Evropa përballet me sfida historike, por qëndron e bashkuar për paqen

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron gjatë fjalës së tij në Samitin e Komuniteti Politik Evropain në Tiranë theksoi rëndësinë e momentit historik dhe sfidave me të cilat përballet sot kontinenti evropian.

Në një kohë të trazuar për Evropën, ai theksoi mbështetjen e plotë për Ukrainën në luftën kundër agresionit rus dhe rëndësinë e një armëpushimi të qëndrueshëm, duke nënvizuar se “trysnia e evropianëve do ta bëjë këtë të mundur”.

“Kam kënaqësi që ju shoh të gjithëve këtu me rastin e Samitit të 6 të Komuniteti Politik Evorpian, i pari që zhvillohet në Ballkan. Faleminderit që na kujton se pas ëndrrës evropiane nuk është vetëm gjeorgrafia, por mitologjia, historia, rrugëtimi që kemi bërë. Jemi këtu sot në kohëra kur jetët e vendeve tona dhe situtata e kontinentit tonë i sjell paksa seriozitet këtij takimi duke pasur parasysh se sa e lartë është steka. Kjo na jep shansin e një kontinenti më të gjerë, që të përballemi me sfida dhe ta bëjmë këtë të gjithë së bashku. Pikë së pari është lufta e Rusisë së Ukrainës dhe Zelensky e di se jemi në krah të tij. Kemi krijuar koalicionin e të vullnetshëmve dhe ëhstë shumë e rëndësishem që të mbështet Ukraina dhe armëpushimi. Orët e fundit duhet thënë që Rusia nuk e do këtë armëpushim por trysnia e evropianëve do ta bëjë këtë të mundur. Duhet të këmbëngulim që të sigurojmë një paqe të qëndrueshmë në Ukrainë. Komuniteti Politik Evropian mundëson që t’i sjellim sigurinë njerëzve tanë kur vjen puna në luftën kundër trafikut të drogave. Kjo është shumë e rëndësishme. Kjo është thelbësore. Kemi nisur të diskutojmë këtë çështje dhe do të doja që të ndërtonim një koalicion shtetsh, organizatash ndërkombëtare për të luftuar trafikun, pastrimin e parave dhe korrupsionin. Kjo është thelbësore dhe njerëzit po na presin, i gjithë ky trafikim është i ndërlidhur dhe do të na duhet shumë bashkëpunim. Pika e tretë. Ka kërcënime që po minojnë demokracitë tona dhe natyrisht këto krijojnë manipulime gjatë zgjedhjeve. Ka ndërhyrje të huaja konstante dhe këto po minojnë demokracitë tona. Ne kemi nisur një nismë për të rritur bashkëpunimin tonë”, tha Macron.


Sulmet në Ukrainë, Costa: Duhet të bashkëpunojmë në mënyrë kolektive për të sjellë paqen!

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili ndodhet në Tiranë në kuadër të në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian u shpreh se Evropa duhet të bashkëpunojë për të sjellë paqen në Ukrainë.

Ai tha se Evropa duhet të investojë më shumë tek mbrojtja e saj. President i Këshillit Europian u ndal edhe tek sulmet në Gaza.

“Mikpritje e ngrohtë dhe kreative nga ana e Shqipërisë. Një Europë e re në një botë të re. Kjo është çështja kryesore në këtë samit të sotshëm. Pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, ne ndërtuam një rend të ri botëror. Ai rend nuk ishte i përkohshëm, por na ofroi paqe dhe begati. Ky rend botëror po minohet nga shumë palë. Agresioni rus kundër Ukrainës solli luftën e madhe. Ky sulm është një luftë për ndërkombëtarët. Situata në Gaza është një tragjedi humanitare. E drejta humanitare po dhunohet. Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe tregtar ka bërë që njerëzit të lidhen me njëri-tjetrin. Duhet të bashkëpunojmë në mënyrë kolektive. Evropa ka detyrë të punojë për këtë çështje. Ne duhet të jemi të bashkuar për të sjellë një paqe për Ukrainën. Siguria juaj është edhe siguria jonë. Evropa duhet të investojë më shumë tek mbrojtja e saj. Evropa duhet t’ia dalë mbanë. BE është gati dhe i gatshëm që të luajë këtë rol të plotë në këtë Evropë të re në këtë botë të re, duke punuar nga afër me të gjithë partnerët tanë. BE-ja e re do të jetë një partner i besueshëm për integrimin evropian. Për mbrojtjen, për energjinë”, tha Costa. /vizionplus.tv


Vuçiq në Tiranë, a do e takojë Osmanin? Ja si përgjigjet Presidenti i Serbisë

Nga Moska ku mori pjesë në paradën ushtarake, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u prit në Tiranë nga kryeministri Edi Rama, në kuadër të Samiti të BE.

Pyetjes së mediave nëse do të ketë një takim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Vuçiç anashkaloi duke u shprehur se në Tiranë është bukur dhe se ndodhet këtu për të marrë pjesë në Samitin e BE.

Vuçiç tha se në Tiranë ndihej krenar që përfaqësonte qëndrimet dhe interesat e Serbisë si një vend evropian i lirë dhe një partner i përgjegjshëm për të gjithë ata që ndajnë vizionin e një Evrope paqësore, të sigurt dhe të begatë, “shtëpinë tonë të përbashkët”. /oranews.tv


Osmani nga Tirana: Koha për veprime konkrete nga BE për anëtarësimin e Kosovës 

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, foli për rëndësinë e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian, teksa mbërriti në Tiranë për Samitin e Komunitetit Politikan Europian.

“Më me rëndësi janë bisedimet ndërmjet Kosovës dhe BE. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, për fat të keq akoma nuk është shqyrtuar. Ka ardhur koha që përtej fjalëve të bukura që u jepen shteteve aspiruese, të ketë veprime konkrete, veçanërisht për shtete si Kosova që është në linjë të plotë me BE. Kosova është gjithë e gatshme që të marrë pjesë në dialog”, tha Osmani.

Osmani lidhur me dialogun Kosovë-Serbi ka thënë se është koha për veprime konkrete në këtë drejtim, ku shtoi se duhet të flitet për heqjen e masave ndaj Kosovës.

“Sa i përket dialogut Kosovës Serbi, ne më parë duhet të flasim për heqjen e masave ndaj Kosovës sepse kjo e dëmton edhe vetë kredibilitetin e BE-së, kam kërkuar edhe mbrëmë gjatë darkës me liderët e BE-së, do të kërkoj edhe sot, sepse kjo do t’i jepte kredibilitet dialogut, por Kosova është gjithnjë e gatshme që të marrë pjesë në këtë proces”, është shprehur Osmani.

“Kosovës është 100% në linjë me vendimet e BE-së sa i përket politikës së jashtme dhe asaj të Sigurisë”, ka shtuar ajo.


Udhëheqësit evropianë rreshtohen për Fotografinë Familjare në Tiranë

Është realizuar fotografia familjare e liderëve evropianë dhe ata të Ballkanit Perëndimor.

47 krerë shtetesh dhe qeverish po marrin pjesë në takimin e gjashtë të Komunitetit Politik Europian.

Pas pritjes dhe pasi shikuan një performancë artistike, udhëheqësit e Europës bënë edhe Fotografinë Familjare.

Komuniteti Politik Europian sivjet mblidhet nën moton “Europa e re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”.

Udhëheqësit do të takohen fillimisht në një seancë plenare kushtuar sigurisë dhe një vizioni të përbashkët për të ardhmen e Europës.

Më pas do të zhvillohen tri tryeza të nivelit të lartë rreth temave të mëposhtme:

– Siguria dhe qëndrueshmëria demokratike e Europës, duke përfshirë luftën agresore të Rusisë kundër Ukrainës

– Konkurrenca dhe siguria ekonomike sfidat e lëvizshmërisë dhe fuqizimi i të rinjve

BE-ja do të përfaqësohet nga Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, i cili do të bashkëkryesojë takimin së bashku me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama


Von der Leyen: BE-ja po përgatit sanksione të reja për ta rritur presionin ndaj Rusisë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar të premten në Tiranë, se Bashkimi Evropian është në proces e sipër të formulimit të sanksioneve të reja, që kanë për qëllim të rrisin presionin ndaj presidentit rus, Vladimir Putin.

Deri më tani, BE-ja ka miratuar 17 pako sanksionesh kundrejt Rusisë, porse diplomatët kanë shprehur skepticizëm se mund të arrihet konsensusi i 27 vendeve anëtare të bllokut për të kaluar masat e reja, transmeton Reuters.

“Ai s’dëshiron paqe, si rrjedhojë ne duhet të rrisim presionin, dhe pikërisht kjo është arsyeja se pse ne po punojmë rreth një pako të re sanksionesh”, ka thënë von der Leyen, para Samitit të Komunitetit Politik Evropian.

“Kjo pako do të përfshijë, për shembull, sanksione ndaj Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2. Do të përfshijë gjithashtu më shumë anije të flotës së errët ruse dhe uljen e kufirit të çmimit të naftës, si dhe më shumë sanksione ndaj sektorit financiar në Rusi”, ka vazhduar ajo.

Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2, secili i përbërë nga dy tubacione, u ndërtuan nga kompania shtetërore ruse, Gazprom, për të transportuar gazin natyror në Gjermani përmes Detit Baltik. Ato u dëmtuan nga një seri shpërthimesh në vitin 2022.


Erdogan në Tiranë bashkë me Ramën: Bashkë me vëllain tim, nga Shqipëria do të bëjmë thirrje për paqe

Ashtu siç u paralajmërua, presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan sot arriti në Tiranë për Samitin e Komunitetit Politik Evropian, përcjell TV21.

Erdogan u prit nga kryeministri shqiptar Edi Rama, ndërkaq i pyetur se çfarë pret nga Samiti, Erdogan tha:

“Presim shumë gjëra. Jemi bashkë. Me vëllain tim, nga Shqipëria do të bëjmë thirrje për paqe në të gjithë botën”, tha mes tjerash Erdogan.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by TV21 Macedonia (@tv21hd)


Takimi Ukrainë-Rusi në Stamboll, Rutte: Putin bëri gabim që dërgoi delegacion të nivelit të ulët! 

Sekretarin i i NATO-s, Mark Rutte u mirëprit nga kryeministri Edi Rama në sheshin “Skëndërbej” në kuadër të Samitt të Komunitetit Politik Evropian.

Rutte, komentoi edhe delegacionin që ka dërguar Rusia për negociata e paqes në Stamboll.

Ai theksoi se ishte gabim që Putin zgjodhi të dërgonte një delegacion të nivelit të ulët, teksa shtoi se është i lumtur për rolin e SHBA-së, për të zhbllokuar këtë situatë.

“Putini bëri gabim që dërgoi një delegacion të nivelit të ulët. Në fakt, topi është në fushën e tij, ai duhet të jetë “në lojë” në kuptimin që duhet të jetë serioz në përpjekjet për të gjetur paqen, dhe tani e gjithë trysnia është mbi të. Është një gjë shumë e mirë që ukrainasit kanë ardhur në tryezë. Jam i lumtur për rolin që ka marrë SHBA, si dhe për rolin që ka marrë presidenti Trump për të zhbllokuar këtë situatë”, tha Rutte.


Rutte për RTV21: Dialogu Kosovë-Serbi do të jetë pjesë e samitit 

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, nga Tirana ka folur lidhur me dialogun Kosovë- Serbi.

Rutte i pyetur nga RTV21 për dialogun Kosovë-Serbi ai tha se do të jetë pjesë e diskutimit në samit.

Ndër të tjera ai shtoi se KFOR-i qëndron në Kosovë për të ofruar siguri. /21Media


Kallas ia konfirmon RTV21 se javën e ardhshme vjen në Kosovë

Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, ka konfirmuar se do të vizitojë Kosovën.

E pyetur nga RTV21 nëse kjo vizitë do të ndodhë, ajo ka thënë se vizita do të ndodhë javën e ardhshme.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka thënë se presin normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Pak më parë kemi emëruar përfaqësuesit e ri për dialogun Kosovë-Serbi, presim normalizim të marrëdhënieve sigurisht”, është shprehur Kallas, kur është pyetur për procesin e dialogut.

Kallas po qëndron në Tiranë për Samitin e Komunitetit Politik Evropian. /21Media


Shqipëria në BE në 2030? Kallas: Po bën progres të shkëlqyer, Evropa të bëjë hapat e duhur

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas ka mbërritur në sheshin “Skënderbej” në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian i cili zhvillohet në Tiranë.

E pyetur nëse mendon se Shqipëria mund të anëtarësohet në BE brenda vitit 2030, Kallas tha se kjo është plotësisht e mundur.

Kallas: Po mendoj që Shqipëria po bën një progres të shkëlqyer kur vjen puna për reformat. Për ne është…nga ana e Evropës duhen bërë hapat e duhur, ju duhet të bëni reformat, por ka një moment poolitik kur të gjithë duan që procesi i zvgjerimit të ndodhë.

Çfarë prisni nga Kosova dhe Serbia në procesin e dialogut?

Kallas: Pak më parë kemi emëraur përfaqësuesin e ri të posaçëm për dialogun dhe presim normalizimin e marrëdhënieve.

Kallas gjithahtu foli edhe për konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës.

Kallas: Është e rëndëishme të shkurtojmë fondet, financimet për të vazhduar këtë luftë. Në këtë drejtim duhet të jemi të gjithë të bashkuar sepse e shohim që Rusia nuk do paqe.


Shefi i NATO-s, Mark Rutte pritet në Tiranë nga Edi Rama 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka pritur ditën e sotme në Kryeministri Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryeministri përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, ku ka ndarë edhe pamje nga takimi.

Rama shkruan krah pamjeve se me Rutten diskutuan mbi forcimin e mëtejshëm të rolit të Shqipërisë në Aleancë, sfidat e sigurisë në rajon dhe kontributin e Shqipërisë në NATO.

Kujtojmë se ditën e sotme në Tiranë do të mblidhet Komuniteti Politik Evropian, ku do të marrin pjesë lider nga vende të ndryshme të Evropës.

“Kryeministria – Kënaqësi të mirëpres Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, me të cilin diskutuam mbi forcimin e mëtejshëm të rolit të Shqipërisë në Aleancë, sfidat e sigurisë në rajon dhe kontributin tonë aktiv në NATO”, ka shkruar Rama.


Costa: Qëndrueshmëria dhe besimi, parimet kyç në procesin e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor

Kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka thënë në Tiranë, të enjten, se ekziston vrull i ri në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), dhe se përpjekjet e mëtejme në Ballkanin Perëndimor për të arritur përparim drejt rrugës evropiane duhet të bazohen mbi parimet e qëndrueshmërisë dhe besimit.

Pas një darke joformale që ai shtroi për pjesëmarrësit e samitit të së premtes të Komunitetit Politik Evropian nga Ballkani Perëndimor dhe për kryeministrin polak, Donald Tusk, Costa shkroi në platformën X, në internet, se parimi i qëndrueshmërisë vlen për të dyja palët.

“Përpjekjet e mëtejme për përparim drejt anëtarësimit [të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian] duhet të udhëzohen nga dy parime thelbësore: qëndrueshmëri dhe besim. Qëndrueshmëria për BE-në nënkupton mbajtjen e zgjerimit në krye të agjendës së saj politike, kurse për partnerët do të thotë përputhje me vlerat tona dhe zbatim reformash”, ka thënë Costa.

Ai ka shtuar se besimi, si parim i dytë kyç, “mund të ndërtohet vetëm përmes dialogut të hapur – brenda, mes partnerëve në rajon, dhe me institucionet dhe me shtetet anëtare të BE-së”.

Costa shtroi darkë për udhëheqësit nga Ballkani Perëndimor me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Kaja Kallas, në fund të turneut të tij në rajon, gjatë të cilit ai vizitoi Beogradin, Sarajevën, Podgoricën, Prishtinën, Shkupin dhe Tiranën.

Përveç Costas, Von der Leyenit, Kallasit dhe Tuskut, në darkë morën pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani; presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq; presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq; kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski; kryetarja e presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq; dhe mikpritësit – kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti shqiptar, Bajram Begaj.

Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian do të bëjë bashkë në kryeqendrën shqiptare, Tiranë, 47 krerë shtetesh apo qeverish, dhe udhëheqës të institucioneve kyç evropiane dhe ndërkombëtare.

Në samitin njëditor pritet të diskutohen sfidat e sigurisë dhe mbrojtjes në të gjithë kontinentin, me agresionin e plotë të Rusisë ndaj Ukrainës në krye të agjendës.

Vendet e Ballkanit Perëndimor shpresojnë se në Samitin e Komunitetit Politik Evropian do të bisedohet edhe për zgjerimin e Bashkimit Evropian. /rel


Samiti i Komunitetit Politik Evropian, në Tiranë mblidhen liderët evropianë dhe ata të Ballkanit

Tirana është sot qendra e politikës evropiane, ndërsa mirëpret Samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian (KPE), i cili për herë të parë organizohet në një vend të Ballkanit Perëndimor.

Samiti zhvillohet në Sheshin Skënderbej dhe mbledh së bashku liderët e 47 vendeve evropiane, si dhe drejtues të institucioneve kryesore ndërkombëtare.

Në mesin e figurave më të rëndësishme që marrin pjesë janë kryeministri britanik Keir Starmer, kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Kryeministri Edi Rama do të nisë ditën me një sërë takimesh bilaterale, duke filluar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, e më pas me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez. Në total, Rama pritet të zhvillojë 10 takime me liderë evropianë, ndër ta edhe me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.

Samiti do të bashkëdrejtohet nga kryeministri Rama dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Tema kryesore e kësaj mbledhjeje është: “Evropa e re në një botë të re: Unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët”, duke reflektuar mbi rolin e kontinentit përballë sfidave globale.

Diskutimet do të organizohen në tri tryeza të rrumbullakëta me fokuse të ndryshme.

Punimet e samitit do të përmbyllen me një konferencë të përbashkët për shtyp mes kryeministrit Rama dhe kryeministres daneze Mette Frederiksen, vend i cili do të jetë nikoqiri i samitit të ardhshëm të Komunitetit Politik Evropian.

Back to top button