Liderët evropianë informojnë Trump mbi pozicionin rus në bisedimet e paqes

Duke folur së bashku me presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrin polak Donald Tusk në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, kryeministri britanik Keir Starmer tha se liderët po koordinonin përgjigjen e tyre, pasi ata ranë dakord se pozicioni i Moskës në bisedime ishte i papranueshëm.
Një zyrtar ukrainas në Stamboll akuzoi Rusinë se ka bërë kërkesa të papranueshme territoriale për të minuar negociatat.
“Kërkesat ruse janë të shkëputura nga realiteti dhe shkojnë shumë përtej çdo gjëje të diskutuar më parë. Ato përfshijnë ultimatume që Ukraina të tërhiqet nga territori i saj për një armëpushim dhe kushte të tjera jo konstruktive,” tha ai.
Bisedimet e sotme midis delegacioneve ukrainase dhe ruse në Stamboll përfunduan pa ndonjë rezultat.
Rustem Umerov, ministër i Mbrojtjes i Ukrainës, pas takimit tha se nga të dyja palët është rënë dakord për një shkëmbim të një mijë të burgosurve, data e të cilit është caktuar, por nuk është shpallur publikisht, si dhe u fol për një takim të mundshëm mes Zelensky dhe Putin.
Ndërsa Vladimir Medinsky, kreu i delegacionit rus, tha se “shkëmbimi i të burgosurve “një mijë për një mijë do të kryhet në ditët në vijim” dhe se Rusia “mori parasysh” kërkesën e Ukrainës për bisedime direkte Putin-Zelensky.