BE: Veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës në veri, rrezik për përshkallëzim

Bashkimi Evropian ka thënë se veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës në veri, me mbylljen e objekteve të cilat shfrytëzoheshin për shërbime nga sistemi i Serbisë, janë rrezik për përshkallëzim të situatës.
Ditëve të fundit, autoritetet e Kosovës kanë marrë nën kontroll disa objekte, të cilat shfrytëzoheshin në kuadër të sistemit të Serbisë. Janë marrë nën kontroll një ndërtesë që përdoren nga Shërbimi Nacional për Punësim, ambientete e Ndërmarrjes Publike Komunale “Ujësjellësi Ibër”, palestrës sportive, muzeut të qytetit dhe disa institucioneve të tjera.
“Operacionet, inspektimet dhe mbylljet e fundit të policisë në Kosovë rrezikojnë të përkeqësojnë tensionet dhe të ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të komuniteteve lokale, si dhe të minojnë imazhin ndërkombëtar të Kosovës”, thuhet në reagim, në të cilin në veçanti është përmendur shqetësimi për operacionet ndaj “Ujësjellësit Ibër” në Mitrovicën e Veriut dhe për mbylljen e fabrikës në Zubin-Potok.
“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara minojnë përpjekjet për ndërtimin e besimit midis komuniteteve. Ne i bëjmë thirrje kryeministrit në largim Kurti dhe autoriteteve në Kosovë t’i ndalin këto mbyllje, të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin masat përshkallëzuese”, thuhet më tej në reagim.