“Vendi juaj është në BE”, Macron falenderon Ramën dhe shqiptarët: Mikpritje e ngrohtë në Tiranë, miqësia jonë është e fortë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron është larguar nga Shqipëria me përshtypjet më të mira për vendin tonë. Përmes një videoje të shpërndarë në Instagram, Presidenti Macron gjen rastin të falenderojë kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama dhe shqiptarët për mikpritjen.
“I dashur Edi Rama, të dashur shqiptarë, ju faleminderit për mikpritjen kaq të ngrohtë në Tiranë”, shkruan Macron.
Në mesazhin e shpërndarë edhe në gjuhën shqipe, Macron thekson se vendi i Shqipërisë është në BE. Ai thekson se miqësia mes dy vendeve është më e fortë se kurrë dhe po thellohet në të gjitha fushat, ekonomike, ushtarake, kulturore e arsimore
“Miqësia midis Shqipërisë dhe Francës është e fortë dhe ne po e çojmë atë në majat më të larta! Në fushën e bashkëpunimit ekonomik, ushtarak apo kulturor, deklaratat tona janë kthyer në realizime shumë konkrete. Kjo vlen edhe për arsimin, siç është rasti i hapjes së një shkolle 42 në zemër të kryeqytetit tuaj, ku patëm kënaqësinë të shkojmë dje. Vendi juaj është në Bashkimin Evropian. Franca do të jetë në krahun tuaj dhe do t’ju mbështesë në reformat tuaja gjatë këtij rrugëtimi evropian. Rroftë miqësia midis vendeve tona!”, përfundon Macron./vizionplus