Grabitje në filialin e një operatori telefonik në Sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë

Një grabitje është raportuar në orët e hershme të mëngjesit në një nga filialet e një operatori telefonik në Sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci për rtv21.tv ka njoftuar se tre persona të maskuar kanë sulmuar sigurimin fizik dhe kanë depërtuar brenda objektit, nga ku dyshohet se kanë marrë një kasafortë me para të gatshme, pajisje telefonike dhe mbushje.
Policia është në kërkim të të dyshuarve dhe u bën thirrje qytetarëve për bashkëpunim.
”Rreth orës 03:15, është raportuar për një rast grabitjeje të ndodhur në një nga filialet e operatorit telefonik, në Sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë. Sipas informatave fillestare, janë ngritur dyshimet se tre persona të maskuar, kanë sulmuar sigurimin fizik jashtë objektit dhe më pas kanë depërtuar brenda, prej nga dyshohet se kanë marrë një kasafortë që dyshohet të përmbante para të gatshme, telefona të rinj dhe mbushje telefonike. Të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur. Nuk raportohet për persona të lënduar. Policia ka dalë në vendngjarje ndërsa me rekomandimin e prokurorit kujdestar rasti është iniciuar si “Grabitje”. Aktualisht policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe operacionale për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve. Ftojmë qytetarët që posedojnë informacione relevante për rastin të bashkëpunojnë me policinë përmes linjës falas 192 apo përmes aplikacionit digjital Lajmëro Policinë”, tha Borovci./21Media