Deputetja Izmaku: Nuk ka ndryshim të qëndrimeve, diskutimet e brendshme po vazhdojnë

Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka deklaruar se ende nuk ka ndonjë vendimmarrje të re në lidhje me zhvillimet aktuale politike në vend, duke shtuar se brenda partisë së saj janë duke vazhduar diskutimet e brendshme, raporton KosovaPress.
Ajo ka bërë të ditur se pritet që kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, të dalë së shpejti me një deklaratë që do të përfshijë qëndrimin e partisë për të gjitha proceset politike në vend.
Imzaku vlerësoi se Limaj i përmbush të gjitha kriteret për të qenë në krye të pozitave shtetërore, duke theksuar kontributin e tij në çlirimin e vendit dhe në krijimin e institucioneve.
“Ende po votohet për procedura, nuk ka një ndryshim apo vendimmarrje të re, po presim që brenda diskutimeve të brendshme tona politike me pas ndoshta një deklaratë në të ardhmen që ka me përfshi diçka pak më konkrete…Diskutimet e brendshme tonat vazhdojnë, d.m.th politiken brenda subjektit tonë politik, dhe për këto çështje besoj se do të keni një deklaratë nga Limaj ditëve në vazhdim. Mirëpo, sa i përket çështjes, numrat e përcaktojnë, duhet të jetë apo jo një autoritet në krye të pozitave shtetërore, konsideroj se në Kosovë nuk kanë qenë gjithmonë numrat që e kanë përcaktuar rëndësinë, mirëpo peshën që ka një lider. Në këtë drejtim, Limaj dihet se ka dhënë një kontribut të çmueshëm si gjatë çlirimit të vendit, po ashtu edhe në çështjet kyçe të krijimit të institucioneve. Pra, Limaj do të përfaqësonte shumë mirë gjitha këto kritere, sepse njihet si një autoritet përafrues në gjithë skenën politike”, ka thënë Izmaku.
E pyetur nëse do ta mbështesnin Albulena Haxhiun për kryetare në rast se vota e tyre do të ishte vendimtare për arritjen e 61 votave, Izmaku u shpreh se nuk janë në atë fazë të diskutimeve dhe se vendimet do të merren përmes një marrëveshjeje politike, e jo përmes televizioneve.
“Është më e rëndësishme për t’i dhënë vendit emra që nuk janë në këtë diskutim të përvetshëm, mirëpo kanë një dinjitet të përfaqësimit politik, ndërsa nuk e mendoj se jemi në këtë fazë. Diskutimet tona të brendshme politike janë ende herët me i përcaktua këto. Nëse do të ketë një marrëveshje politike, sigurisht se ajo do të bëhet në tavolinë dhe do të jetë transparente, nuk do të bëhet përmes televizionit, pastaj vendoset për emra të përveçëm”, ka shtuar Izmaku.
Ndërsa sa i përket takimit me presidenten, ajo ka thënë se Limaj së shpejti do të dalë me një deklaratë për të gjitha proceset.
Deputetët do të mblidhen sërish sot për një tentim të radhës për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Kjo është përpjekja e nëntëmbëdhjetë me radhë që prej 15 prillit kur ka filluar seanca konstituive.
Vazhdimi i seancës konstituive nisë në orën 11:00, por zhvillimet nuk tregojnë shpresë se do të ketë zhbllokim të situatës.